Gjatë vizitës së realizuar më 28 shkurt, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, ku është pritur nga lideri i partisë, Ali Ahmeti.
Në këtë takim, Begaj ka bërë një deklaratë që ka marrë vëmendje të veçantë në opinion. Ai është shprehur se kjo është selia e vetme partiake që ka vizituar anembanë hapësirës shqiptare, duke theksuar se vizita ka ardhur si rezultat i respektit dhe vlerësimit për kontributin politik të Ahmetit.
“Kjo është e vetmja seli ku kam shkuar, sepse e meriton”, është shprehur ai, duke e cilësuar rolin e Ahmetit si të rëndësishëm në përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe në proceset kyçe në Maqedoninë e Veriut.
