Ashkovski tri ditë pa bukë e pa ujë në Iran, bombat i fluturonin mbi kokë: “Më shpëtoi Asani!

Reprezentuesin maqedonas e takuam në aeroportin e Stambollit, në kthim nga Baku, ku kishim udhëtuar me basketbollistët për ndeshjen kualifikuese. I lodhur, por i buzëqeshur që më në fund po largohej nga ferri i luftës, ai ishte në shoqërinë e Jasir Asanit – njeriu që, sipas tij, e nxori nga vorbulla e luftës në Iran.

Në një rrëfim ekskluziv, Ashkovski tregoi kalvarin treditor që përjetoi mes bombardimeve, mungesës së ushqimit dhe kufijve të mbyllur.

15 orë larg, por shpëtimi erdhi në momentin e fundit

Kur nisën sulmet, Ashkovski dhe Asani ndodheshin rreth 15 orë larg njëri-tjetrit me makinë. Falë statusit të Asanit si një nga yjet e mëdhenj në Iran, klubi i tij i kishte vënë në dispozicion tre shoferë 24 orë në ditë. Ishte pikërisht njëri prej tyre që e çoi Ashkovskin drejt kufirit iranian.

“Ndërsa isha atje, kisha tre shoferë nga klubi, në dispozicion 24 orë për ne”, shprehet Asani, i cili aktualisht luan për përfaqësuesen e Shqipërisë.

Ashkovski rrëfen se udhëtimi nga Rafsanxhani drejt Teheranit zgjati 15 orë, e më pas nga kufiri fluturoi për në Stamboll. Por pjesa më e vështirë ishte kalimi nëpër Iranin e përfshirë nga sulmet.

Tri ditë pa ngrënë e pa pirë

“Nemam ngrënë e pirë tri ditë. Shikoja vetëm si të dilja nga shteti. Pas vrasjes së liderit të tyre, gjithçka ishte e mbyllur, asgjë nuk funksiononte. Ishte shumë e vështirë”, rrëfen ai.

Gjatë rrugës pa nga afër bombardime, rrënoja dhe qytete të boshatisura. Nuk kishte ushqim, nuk kishte ujë, ndërsa në fund u përball edhe me probleme me vizën e daljes – të cilat, për fat, u zgjidhën në momentin e fundit.

“Më lanë vetëm në rrugë”

Ai tentoi të largohej edhe me futbollistët e huaj të Persepolis, por pa sukses.

“Kur ndodhi gjithçka, mbeta vetëm. Po të mos ishte Jasiri… Stranierët e Persepolis kaluan me autobus. I pyeta nëse mund të shkoja me ta, më thanë jo. Kjo do të më shërbejë si një mësim i madh për të ardhmen”, tha Ashkovski.

Sipas tij, ndihmë nuk pati as nga klubi i tij, Mes Rafsanxhan, ndërsa e vetmja rrugë shpëtimi ishte ndërhyrja e Asanit.

“Irani është vend i bukur”

Megjithatë, pavarësisht traumës, ai ka fjalë të mira për vendin ku luan.

“Irani është vend i bukur dhe njerëzit janë korrektë. Tek ne ka perceptim të gabuar. Ndryshe është kur shkon dhe e përjeton vetë. Nuk ndjehej se mund të ndodhte diçka e tillë.”

Tani, gjithçka që dëshiron është të kthehet në Shkup.

“Tani mezi pres të vij në shtëpi, të fle dhe të pushoj pak. Ishte shumë e vështirë, por për fat gjithçka përfundoi mirë.”

Back To Top