Më shumë se 600.000 katolikë dhe protestantë gjermanë kanë braktisur kishën vitin e kaluar, u bë e ditur sot, ndërsa dy kishat kryesore të krishtera në Gjermani vazhdojnë të humbasin anëtarë.
Sipas statistikave të publikuara nga Kisha Katolike dhe Kisha Ungjillore në Gjermani (EKD), në vitin 2024 nga Kisha Katolike janë larguar rreth 307.000 besimtarë, pak më pak se në vitin 2023 kur u larguan 321.000. Nga EKD janë larguar rreth 350.000 besimtarë, afërsisht i njëjti numër si një vit më parë.
“Çdo largim nga kisha është i dhimbshëm”
Nëse këtij numri i shtohen edhe anëtarët e vdekur, atëherë numri i të krishterëve të regjistruar në Gjermani gjatë vitit të kaluar është ulur për 1,35 milionë.
Në total, vitin e kaluar në Gjermani kanë jetuar 36,6 milionë qytetarë që i përkasin njërës prej dy kishave më të mëdha të krishtera. Kjo përbën rreth 44 për qind të popullsisë, më pak se në vitin 2023 kur 45,2 për qind e qytetarëve ishin anëtarë të një kishe.
Çdo largim nga kisha është i dhimbshëm”, tha kryetari i ri i Konferencës së Ipeshkvijve të Gjermanisë, Heiner Wilmer, gjatë prezantimit të statistikave.
Ai theksoi gjithashtu se, pavarësisht këtyre shifrave, nuk duhet humbur shpresa dhe vuri në dukje stabilitetin në numrin e kungimeve të para dhe të krezmimit.
Megjithatë, ndryshe nga Franca dhe Belgjika, në Gjermani nuk vërehet rritje e numrit të pagëzimeve.
Skandalet dhe taksa si shkaktarë
Trendi i largimit masiv nga kisha është përshpejtuar pas skandaleve të pedofilisë që përfshinin persona të punësuar në institucionet fetare.
Një tjetër arsye është edhe taksa kishtare që paguajnë anëtarët e punësuar të komuniteteve katolike dhe ungjillore. Kjo taksë arrin në 8 deri në 9 për qind të tatimit vjetor mbi të ardhurat.
