DIMITRIEVSKI: SA TË JETË ZNAM NË QEVERI, JURISPRUDENCA VETËM NË MAQEDONISHT

Edhe pse iu shkarkua ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, kryetari i Kumanovës dhe partisë ZNAM, Maksim Dimitirevski insiston se derisa të jenë në Qeveri nuk do të tolerojnë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe. Dimitrievski nga një tubim në Koçan porosit se mund të luajnë të gjithë, por ata nuk do të tolerojnë që provimi të jepet në gjuhë tjetër pos maqedonishtes.

“ZNAM asnjëherë nuk do të mbështetë, as si pjesë e pushtetit, por as nga pozita e opozitës çfarëdo zgjidhje për problemin e provimit të jurisprudencës, e cila është kërkesë e njëanshme pasi i njëjti do të jepet vetëm në gjuhën maqedonase, ashtu siç shkruhet në ligj dhe kushtetutë dhe në asnjë mënyrë tjetër më ndryshe”, deklaroi kryetari i ZNAM-it Maksim Dimitrievski më 30 tetor.

Deklaratat e këtilla kanë shkaktuar reagime të fuqishme në opinion. Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka akuzuar VLEN-in për paaftësi dhe mungesë të peshës politike.

“Qëndrimi i Dimitrievskit dhe mungesa e vendosmërisë së VLEN-it tregojnë shumë për raportet e forcave brenda Qeverisë. ZNAM, edhe pse me më pak deputetë, arrin të vendosë kushte dhe të mbrojë publikisht qëndrimet e veta”, reaguan nga ASH.

Megjithatë, reagime ka pasur edhe nga vetë VLEN-i dhe partnerët e saj. Derisa Lëvizja Arbëria e quan Dimitrievskin, injorant dhe marrëzi antishqiptare e deri duke e krahasuar me Ivica Daçiqin e Serbisë, kryetari i Këshillit të Çairit, njëherësh bashkëpunëtor i Izet Mexhitit thotë se Dimitrievski është vetëm më trup i madh, pasi në Qeveri e Kuvend është goxha i vogël.

ZNAM-i në vazhdimësi ka insistuar në qasje disiplinuese ndaj shqiptarëve në Qeveri, duke e marrë rolin e ventilit të VMRO-së për të mos u shantazhuar me kërkesa eventuale nga shqiptarët.

“Kemi hyrë në Qeveri vetëm për një aspekt. Që t’i mundësohet shumicë bllokut politik maqedonas që të mos mundet të shantazhohet dhe të shfrytëzohet metoda e BDI-së”.

Dimitrievski vazhdimisht ishte i zëshëm edhe kundër përdorimit të flamurit shqiptar nëpër zyrat e Qeverisë, për çka publikisht i paralajmëruan partnerët e koalicionit se nëse praktika vazhdon, do ta braktisin ekzekutivin.

Por, pavarësisht deklaratave nacionaliste VLEN-i në krye me Izet Mexhitin nuk e pati problem që në tetor të vitit 2025 t’i shkojë Maksim Dimitrievskit në Kumanovë, për t’i dhënë mbështetje elektorale.

Për mbështetjen e cila u përcoll me shumë kritika në opinion, Mexhiti u arsyetua se Dimitrievski nuk është engjëll, ndërsa ka qenë i obliguar të zgjedh mes dy të këqijave.

Por menjëherë pas zgjedhjeve, ZNAM-i e barazoi VLEN-in në Kumanovë me partinë serbe, duke i ofruar vetëm një drejtori. E sot kur çështjet me interes për shqiptarët ngritën lartë në agjendë, Dimitrievski ia kthen VLEN-it sërish me bërryl. Madje, funksionarët më të lartë shtetëror i quan me tituj profesional, siç ishte rasti me zëvendëskryeministrin e parë Bekim Sali, që ministri i Dimitrievskit e quajti stomatolog. /Alsat.mk

Back To Top