Nga Suad Saliu
Goditja ndaj gjuhës shqipe nuk është një debat teknik, as një keqkuptim juridik apo përplasje e rastësishme institucionale. Është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta ngushtuar hapësirën e barazisë që u fitua me shumë sakrificë pas vitit 2001.
Kjo përpjekje prek të gjitha shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. Prek gjuhën dhe arsimin. Prek frymën e decentralizimit dhe vendimmarrjen konsensuale, si mekanizëm mbrojtës kundër dominimit të njëanshëm. Kur pushteti centralizohet gjithnjë e më shumë, atëherë nuk kemi më thjesht mosmarrëveshje politike. Kemi zbehje të vetë marrëveshjes që e mbajti shtetin në këmbë.
Sot kjo betejë nuk bëhet hapur. Bëhet nën petkun e “interpretimit kushtetues”, të mendimeve nga “Komisioni i Venecias”, të “standardeve” dhe të “reformave”. Por thelbi mbetet i njëjtë: të zvarritet dhe të shtyhet prapa ajo që shqiptarët e kanë fituar me marrëveshje politike, me rezistencë dhe me kosto historike.
Mjafton të shihet se si po trajtohet çështja e gjuhës. Në Marrëveshjen e Ohrit, përdorimi i gjuhës nuk trajtohet simbolikisht, por lidhet drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe me vetë karakterin shumetnik të shtetit. Kushtetuta parasheh se gjuha e një komuniteti që përbën të paktën 20% është gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, çka qartësisht aludon në gjuhën shqipe, si rezultat i një realiteti politik që u imponua pas kryengritjes shqiptare të vitit 2001.
Insistimi i vazhdueshëm për ta vendosur maqedonishten si gjuhë të vetme reale të shtetit nuk buron vetëm nga shovinizmi. Buron edhe nga nevoja për kontroll. Kush e kontrollon gjuhën e administratës, të komunikimit publik, të mediave dhe të institucioneve, kontrollon edhe narracionin. Dhe kush kontrollon narracionin, krijon edhe rrjedhat politike.
Kjo është parë prej kohësh. Për vite me radhë janë ndërtuar tregime publike ku problemet e përgjithshme të shtetit janë paketuar si probleme tipike të shqiptarëve. Haraçina u përdor si sinonim i kaosit. Çairi si sinonim i mosfunksionimit. Shqiptari si personazhi i gatshëm mbi të cilin mund të projektohet kriza e shtetit. Ndërkohë, kur të njëjtat dukuri kanë ekzistuar edhe në zona të tjera, pa ngarkesë etnike, trajtimi ka qenë krejt tjetër. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me standard të dyfishtë. Kemi të bëjmë me prodhim të qëllimshëm të stigmatizimit.
Edhe zhvillimet e fundit e tregojnë këtë vijë. Në janar, Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte formuar dy lëndë për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, në pjesën që lidhet me sistemin “Safe City”. Nisma përveç tjerave, e kontestonte ligjin në pjesën e komunikimit elektronik, ku nuk ishte paraparë respektimi i nenit 7 të Kushtetutës dhe i Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Javën që shkoi, kjo gjykatë i hodhi poshtë këto lëndë, madje duke bërë edhe komentime përtej kompetencave të saj. Kjo nuk është një çështje e vogël teknike. Është mesazh politik se beteja për ta rikthyer shtetin në logjikën e “Maqedonia përsëri e ytja” do të vazhdojë nëpër labirintet institucionale.
Në të njëjtën vijë u shfuqizua edhe balanseri, si mekanizëm për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Edhe kjo nuk është masë neutrale. Është goditje ndaj një prej garancive që dolën nga Marrëveshja e Ohrit për ta frenuar përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet.
Një goditje tjetër po i bëhet shtyllës së decentralizimit të pushtetit. Ministria e Arsimit e ka prezantuar draftin e ri si reformë, por vetë përmbajtja dhe reagimet e universiteteve tregojnë se kemi të bëjmë edhe me një tentativë për centralizim të mëtejshëm. Përveç ndërhyrjes në autonominë e universiteteve, ligji favorizon Universitetin e Shkupit dhe praktikisht ua pamundëson universiteteve shqiptare studimet e ciklit të tretë. Pra, nuk po flasim vetëm për arsim. Po flasim për kontroll mbi institucionet, mbi kuadrot dhe mbi drejtimin e zhvillimit intelektual të vendit.
Edhe vendimmarrja konsensuale, me ndihmën e VLEN-it, është rrënuar përmes zhvlerësimit të votës shqiptare. Si pasojë, emërimet e funksionarëve shqiptarë kalojnë nga kabineti i kryeministrit. Madje Mickoski ua përcakton edhe ministrat dhe kryetarët e komunave që do ta përfaqësojnë koalicionin shqiptar. I kushtëzoi për ta marrë edhe Komunën e Kërçovës, komunë kjo me shumicë shqiptare. Kjo nuk është bashkëqeverisje. Kjo është nënshtrim i paketuar si partneritet.
Por cenimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk është vetëm çështje e brendshme. Urdhri ekzekutiv amerikan përmend shprehimisht veprimet që pengojnë ose rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Administrata amerikane e zgjeroi më tej këtë kornizë, duke përfshirë edhe përpjekjet për t’i minuar institucionet demokratike dhe marrëveshjet e pasluftës në rajon. Kjo do të thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk është një relike politike për konsum të brendshëm. Ajo mbetet pjesë e arkitekturës së stabilitetit rajonal që SHBA-ja e konsideron me rëndësi strategjike.
Prandaj reagimi shqiptar nuk mund të mbetet vetëm te partitë. Sidomos jo sot, kur klasa politike është e komprometuar, e shantazhuar dhe, shpesh, thjesht e paaftë. Opozita e sotshme, BDI-ja, e ka konsumuar kapitalin e saj historik. Nuk tregon më potencë për ta udhëhequr popullin dhe jep shenja se kërkon, me avazin e vjetër, vetëm të rikthehet në shkallët e pushtetit. Ndërsa VLEN-i qeverisës ka marrë rolin e amortizuesit të revoltës shqiptare. Janë zëvendësim, jo ndryshim i kastës politike shqiptare.
Mes kalkulimeve të ngushta, pazareve dhe vetëbesimit pa përmbajtje, qytetari shqiptar ka mbetur pothuajse pa përfaqësim real.
Kjo është arsyeja pse duhet një riorganizim nga poshtë. Nga bërthamat e vogla. Nga shoqëria civile, nga universitetet, nga profesionistët, nga rrjetet lokale, nga njerëzit që ende nuk e kanë dorëzuar vetëdijen kombëtare për një vend pune, një tender apo një post. Sepse, në fund, as gjuha dhe as barazia nuk mbrohen vetë. Nëse nuk mbrohen përditë, ato fillojnë të tkurren. Jo me një goditje të vetme, por me shumë hapa të vegjël, derisa një ditë e kupton se të kanë marrë mbrapsht atë që e kishe fituar me shumë sakrificë.
