38 përqind pozita drejtuese më pak në MPB, u godit përfaqësimi i drejtë

Ministria e Punëve të Brendshme planifikon shfuqizimin e të gjitha pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave në të gjitha sektorët. Ministri i Brendshëm konfirmoi se ndryshimi vjen si rezultat i ligjit të ri për Ministrinë e Brendshme dhe ligjit të ri për policinë, ka raportuar Televizioni Alsat.

“Mendoj se numri i strukturës drejtuese në MPB do të ulet për diku 37-38%. Kjo do të thotë se më nuk do të kemi një numër shumë të madh të ndihmësve, zëvendësve, nën-kryeshefa, afër-kryeshefa, e kështu me radhë, të definuar paraprakisht. Dhe nuk do të kemi funksione vetëm për të pasur funksione, por do të ketë funksione që përveç të drejtave dhe benefiteve do të kenë edhe përgjegjësi konkrete për veprimet që sipas ligjeve do t’i kenë, veçanërisht kryeshefat”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Alsat jozyrtarisht mëson se personat e emëruar në pozitat e zëvendësve ose ndihmësve tashmë janë informuar dhe kanë marrë vendime për t’u kthyer në pozitat e mëparshme të punës. Një gjë është e qartë, që shfuqizimi i pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave godet përfaqësimin e drejtë etnik meqë shumë prej tyre për momentin janë shqiptarë. I pyetur se si do të sigurohet përfaqësimi i drejtë në pozitat drejtuese në MPB pas sistematizimit të ri, ministri i Brendshëm tha se pozitat nuk janë të rezervuara paraprakisht për përkatësi të caktuara etnike por për profesionistë të të gjithë etnive.

“Ligji, dhe sistematizimi në vete nuk nënkupton edhe përcaktim etnik. Secili që i plotëson kushtet, ka arsim, përvojë, aftësi të fituara paraprakisht në MPB, do të mund të aplikojë dhe të zgjidhet. Unë personalisht njoh një numër të madh të profesionistëve shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, sigurisht edhe maqedonas, që do të mund të jenë pjesë e strukturës drejtuese në MPB dhe jam i sigurt se do të ketë edhe maqedonas, shqiptarë, turq, romë…”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Zv.ministri i Brendshëm Astrit Iseni një ditë më parë konfirmoi se përgatitet sistematizim i ri por tha se nuk do të japë detaje deri sa akti nuk është konkretizuar.

Për dallim prej ministrit Toshkovski, Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, tha se do të ruhet parimi i përfaqësimit të drejtë. Ai madje shtoi se në këtë kontekst, edhe ligji i ri, së shpejti do të kalojë në Kuvend.

“Absolutisht kemi nevojë për sistematizim të ri në shumë institucione dhe ai është proces normal që duhet të ndodhë kohë pas kohe sepse nevojat ndryshojnë, shprehitë ndryshojnë. Dhe që do të ketë përfaqësim të drejtë, për këtë askush të mos shqetësohet. Ligji mendoj se sot ose javën e ardhme do të kalojë në seancë qeveritare, do të jetë para deputetëve. Kështu që ne si qeveri nuk e kemi për qëllim të politizojmë asgjë që është e drejtë kushtetuese e dikujt”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sistematizimi i ri prek disa nga sektorët kyç në nivel strategjik të ministrisë në nivel qendror duke ndryshuar radhitjen e tyre në organogramë ose duke u krijuar sektorë me emër krejtësisht të ri. Disa ndryshime ka edhe në organizimin e Sektorëve për Punë të Brendshme por edhe të Departamenteve për Punë të Brendshme ose stacioneve policore lokale.

LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë ende jashtë Kuvendit, Qeveria e zvarrit procesin, opozita thotë se s’ka mekanizëm ndëshkues

Që nga shfuqizimi i “balancuesit”, ligji ec me këmbë të breshkës

Ndonëse ka kaluar mbi një muaj që kur ky ligj u shqyrtua në seancë plenare të Komisionit të Venedikut, në Shkup nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Nga ekzekutivi thonë se, ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri, pritet që në një afat sa më të shkurtër Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat t’i dorëzohet Kuvendit, por nuk thonë afat konkret.

Ky ligj u dorëzua në Komisionin e Venedikut për mendim vitin e kaluar, ndërsa në fillim të muajit dhjetor, në seancë plenare u shqyrtua dhe mori vlerësim pozitiv.

Paraprakisht, në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.

Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.

Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.

Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-së, nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.

Në Maqedoninë e Veriut rreth një vit e gjysmë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Back To Top