Shqipja vazhdon të mbetet e nëpërkëmbur në institucionet shtetërore, ndërsa në vend të zgjidhjeve konkrete, VLEN-i po “prodhojnë” grupe ekspertësh. Në emisionin “n’Podium” për Ora24.tv, një nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, pranoi se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ende nuk ka zgjidhje, duke u arsyetuar me formimin e një grupi pune që “po punon intensivisht”.
Deklaratat e tij vetëm sa konfirmojnë mungesën e vullnetit real politik. Në vend që të ofrojnë zgjidhje të menjëhershme për studentët shqiptarë, VLEN-i po zvarrit procesin me komisione dhe diskutime të pafundme. Mexhiti madje theksoi se çështja është diskutuar në kryesinë e ngushtë dhe me zëvendëskryeministrin e parë, Bekim Sali, duke bërë të ditur se është krijuar një tjetër grup pune brenda qeverisë.
Por kjo qasje po shihet si vazhdim i dështimeve. Vetë Mexhiti pranoi se probleme të tilla kanë mbetur të pazgjidhura edhe në kohën kur ministrat e Drejtësisë ishin shqiptarë. Kjo vetëm sa e thellon dyshimin se mungesa e rezultateve nuk është çështje teknike, por mungesë guximi dhe përgjegjësie politike.
Në vend që të ndërmerren hapa konkretë për të garantuar të drejtën elementare të përdorimit të gjuhës shqipe në provime profesionale, qytetarëve po u servohen justifikime dhe “punë intensive” në letër. Studentët vazhdojnë të përballen me pengesa, ndërsa VLEN-i dhe përfaqësuesit e saj, përfshirë Mexhitin dhe Saliun, mbeten në rolin e vëzhguesit, jo të zgjidhësit të problemit.
