Spastrimi i shqiptarëve vazhdon – Stoilkoviç largon 5 punonjës pa ligj e pa prova

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministrit Ivan Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke e cilësuar atë si arbitrar dhe në kundërshtim me ligjin.

Sipas BDI-së, procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, duke e bërë atë juridikisht të pavlefshme, ndërsa vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale.

Partia thekson se ekzistojnë indikacione serioze për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve për të justifikuar një vendim tashmë të marrë, ndërsa masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës vlerësohet si joproporcionale në raport me pretendimet.

BDI kërkon publikimin e plotë të të gjitha procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në këto largime, hetim institucional për respektimin e ligjit dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve në përputhje me standardet e administratës publike.

Sipas tyre, ky rast përbën një test serioz për funksionimin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj parimit të barazisë dhe ligjshmërisë.

Back To Top