Në një kohë kur gjuha shqipe dhe përfaqësimi i shqiptarëve po përballen me goditje të njëpasnjëshme, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm situata – por heshtja e atyre që kanë detyrim të flasin.
Vetëm brenda një dite:
Ulet me 38% përfaqësimi në strukturat drejtuese në MPB, duke goditur drejtpërdrejt shqiptarët në pozitat kyçe. Dalin dokumente për largimin e 5 shqiptarëve në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Shpenzohen 25 milionë euro për energji elektrike në vetëm tre muaj, pa transparencë të qartë. Nga Gjykata Kushtetuese vijnë deklarata që relativizojnë rolin dhe ndikimin e shqiptarëve. 40 avancime në Regjistrin Qendror – zero për shqiptarët dhe komunitetet tjera. Qeveria jep sinjale që largojnë vendin nga kursi evropian.
Dhe përballë gjithë kësaj?
Asnjë reagim serioz nga zv/kryeministri.
Bekim Sali, si një nga përfaqësuesit më të lartë shqiptarë në ekzekutiv, pritej të ishte zëri i parë në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve. Por në vend të reagimit, kemi një heshtje që po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe e pashpjegueshme.
Kjo heshtje ngre pyetje të drejtpërdrejta:
A është mungesë guximi përballë presionit politik? A është kompromis për të ruajtur pozicionin? Apo thjesht mungesë vullneti për të përfaqësuar ata që e kanë votuar?
Sepse kur cënohet gjuha, përfaqësimi dhe barazia, një zv/kryeministër nuk ka luksin të heshtë.
Në politikë, sidomos në momente të tilla, heshtja nuk është neutralitet – është zgjedhje.
