Si Shkollë e Vuçicit, Mickoski të rreh natën, të qan ditën

Ka një shprehje të vjetër shqiptare që sot përshkruan saktë realitetin politik: të rreh natën, të qan ditën.

Natën, me vendime, me institucione, me mekanizma shtetërorë, po goditet thelbi i Marrëveshjes së Ohrit dhe pozita shtetformuese e shqiptarëve.
Ditën, me deklarata të kuruara për publik, shfaqet një tjetër fytyrë: “po mësoj shqip”, “shqiptarët janë të rëndësishëm”.

Hristijan Mickoski ka hyrë në një kurs të qartë: rishikim dhe zbrazje përmbajtësore e Marrëveshjes së Ohrit përmes institucioneve që duhet ta mbrojnë atë. Gjykata Kushtetuese po përdoret si instrument për të prekur ligje kyçe, administrata si filtër për zbatimin selektiv, ndërsa klima politike po shtyhet drejt relativizimit të të drejtave të fituara.

Në thelb, nuk kemi të bëjmë me deklarata të rastësishme. Kemi një strategji.

Nxënësi i Viktor Orbánit po përpiqet të importojë një model të njohur: dobësim gradual i balancave etnike dhe institucionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë një fasadë “moderimi” për konsum publik.
Dhe gjatë ditës, përdor një gjuhë që ngjan me manualin e Aleksandar Vučić-it: fjalë të buta, sinjale “respekti”, fraza që tingëllojnë mirë në tituj.

Por për qytetarët që jetojnë realitetin, kjo nuk është bindëse. Është provokuese.

Sepse kur në njërën anë dërgohen mesazhe për “mësim të shqipes”, ndërsa në anën tjetër preken mekanizmat që garantojnë përdorimin e saj, kontradikta bëhet e dukshme.

Kjo është arsyeja pse perceptimi nuk po shkon drejt qetësimit, por drejt rritjes së mosbesimit.

Loja e dyfishtë nuk është më e padukshme.
Është e lexueshme.

Dhe nëse vazhdon, do të prodhojë pikërisht të kundërtën e asaj që pretendohet në deklaratat e ditës.

Back To Top