Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike në Strugë ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra (65), nga fshati Bixhevë, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë”.
Sipas autoriteteve, më 18 nëntor 2025, në cilësinë e kryetarit të komunës, ai ka marrë vendim në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, duke emëruar ushtrues detyre drejtor në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Strugë.
Në këtë funksion është emëruar një person nga Struga, edhe pse, sipas kallëzimit, kryetari ka qenë në dijeni se ai nuk posedon arsimimin përkatës, as certifikatë për njohjen e gjuhës angleze dhe nuk i plotëson kushtet e tjera të parapara me ligj për këtë pozitë.
Me këtë veprim, sipas denoncimit, i dyshuari i ka mundësuar të emëruarit që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme të ardhura financiare në formë page dhe kontributesh, si drejtor i ndërmarrjes publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Strugë.
