Osmani: Delegacion monoetnik në Uashington, pa zë shqiptar

Bujar Osmani shkruan:

Para katër vitesh, pikërisht më 2 qershor 2022, në Uashington, nisëm Dialogun Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Si ministër i Punëve të Jashtme, unë udhëhoqa delegacionin e qeverisë sonë, ku bënin pjesë edhe Kreshnik Bekteshi si Ministër i Ekonomisë, si dhe Slavjanka Petrovska dhe Bisera Kostadinovska-Stojçevska si Ministre të Mbrojtjes dhe Kulturës. Ishte një delegacion i gjerë që reflektonte karakterin multietnik të shtetit tonë, gjë që u vlerësua veçanërisht nga partneri ynë strategjik, SHBA-të. Një nga shtyllat e Dialogut Strategjik ishte pikërisht forcimi i modelit tonë autentik të demokracisë funksionale multietnike, si shembull për rajonin.

Sot, edhe pse pas një pauze katërvjeçare, dua të shpreh kënaqësinë që kjo qeveri ka ruajtur një farë kontinuiteti të kësaj nisme të rëndësishme. Mbajtja e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik me SHBA-të përbën një vazhdimësi të drejtë të kësaj orientimi strategjik të vendit, për të mbajtur partneritetin me SHBA-të në nivelin më të lartë të mundshëm.

Megjithatë, ajo që për fat të keq duhet të konstatoj është mungesa thelbësore e kësaj qeverie për të ruajtur dhe kultivuar karakterin multietnik të shtetit dhe shoqërisë. Në vend që sot të shohim një delegacion që reflekton këtë realitet, Kryeministri ka dërguar një delegacion monoetnik, që është pasqyrim i qartë i dominimit monoetnik në këtë qeveri, i cili nuk përputhet me realitetin e vendit.

Sot në Uashington nuk ka asnjë përfaqësues të qeverisë që të paraqesë shqetësimet e studentëve shqiptarë për të drejtat e cenuara gjuhësore, as nuk ka kush të shpjegojë “arritjet” e kësaj qeverie në përjashtimin masiv të shqiptarëve nga rrjedhat shoqërore.

Kjo nuk do të thotë se partnerët tanë do të mbeten të painformuar. Përkundrazi, kjo vetëm sa do të lërë një përshtypje të qartë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për këtë mungesë, për të cilën ne do të kujdesemi që të prezantohet siç duhet kudo.

Back To Top