Shkruan nafie selmani:
Pse mungoi mbështetja për studentët pikërisht nga ata që erdhën në pushtet përmes protestave
Kur studentët nisën fushatën “Foli shqip o Taj”, ishim të paktë ata që i dolëm në krah kësaj kauze. Por, sa më shumë që studentët artikulonin qartë dhe me këmbëngulje kërkesën e tyre për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, aq më shumë rritej mbështetja qytetare. Kjo mbështetje kulmoi me protestë masive, ku mijëra qytetarë dëshmuan se kjo nuk ishte vetëm çështje studentore, por çështje dinjiteti dhe barazie.
Mbështetja nuk mbeti vetëm brenda vendit. Ajo erdhi nga figura politike të spektrave të ndryshëm në Kosovë, Shqipëri, madje edhe nga diaspora, dhe SHBA, nga aktivistë, gazetarë dhe zëra të pavarur. Pra, u shndërrua në një kauzë gjithëkombëtare, që tejkaloi kufijtë partiakë dhe gjeografikë. Dhe kjo mbështetje vazhdon ende, sepse padrejtësia vazhdon.
Por në këtë valë solidariteti, bie në sy një mungesë e madhe dhe domethënëse, mungesa e mbështetjes nga Vetëvendosja dhe nga Albin Kurti. Pikërisht nga ai/ata që dikur ndërtuan kapitalin e tyre politik permes protestave, lotsjellësit në Kuvend, dhe rrëzimit të kamionëve në rrugë. Ata që dikur përdornin çdo formë të presionit politik për të ardhur në pushtet, sot heshtin përballë padrejtësisë ndaj studentëve shqiptarë.
Përfaqësuesit e tyre (VV-Albin Kurti) në vend, përmes figurave si Qoku dhe strukturave përfaqësuese të VLEN-it, jo vetëm që nuk e mbështetën këtë kauzë, por përkundrazi kontribuuan në relativizimin e saj. Duke përsëritur si papagaj tezën se gjuha shqipe “nuk është zyrtare”, ata bien në kundërshtim flagrant me realitetin që vetë e praktikojnë çdo ditë. Sepse në praktikë, deputetët e VLEN-it flasin shqip në Kuvend. Ata kanë një zëvendëskryeministër që nuk di dhe nuk flet maqedonisht. Që i bie për studentët gjuha shqipe luks e privilegj që duhet kërkuar me protesta, për depuetetët e VLEN-it dhe funksionarët e tjerë mundësi zyrtare.
Albin, Qoku, Zeqirijah, Sali, Kasami, Adnan, Saranda, Imerlije, etj, pyeteni partnerin tuaj politik, Mexhitin, a ishte në vitin 2018 gjuha shqipe zyrtare, dhe pse nuk është sot?
