Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje publike qytetarëve të Hungarisë që të votojnë për Viktor Orbán në zgjedhjet e së dielës, më 12 prill, duke e përshkruar kryeministrin hungarez si “një lider të fortë me rezultate të dëshmuara dhe mbështetje të plotë nga Uashingtoni”.
Në një mesazh të publikuar para votimit, Trump deklaroi se Orbán është “një lider vërtet i fortë dhe i fuqishëm”, duke theksuar se gjatë mandatit të tij ka arritur “rezultate fenomenale”, se lufton për vendin dhe popullin e tij, si dhe ndjek politika për mbrojtjen e Hungarisë, rritjen e ekonomisë, krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e tregtisë, luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Në të njëjtin mesazh, Trump shtoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur një nivel të ri bashkëpunimi gjatë administratës së tij, kryesisht falë Orbánit.
“Shumë i respektuari kryeministër i Hungarisë, Viktor Orbán, është vërtet një lider i fortë dhe i fuqishëm, me një histori të dëshmuar pune fenomenale. Ai lufton pa u lodhur për vendin dhe popullin e tij të madh dhe i do ata, ashtu siç unë luftoj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Donald Trump.
Presidenti amerikan kujtoi se e kishte mbështetur Orbánin edhe në zgjedhjet e vitit 2022, ndërsa tani e përsëriti këtë mbështetje me një ton edhe më të drejtpërdrejtë, duke u bërë thirrje hungarezëve të dalin në votime dhe të votojnë për kryeministrin aktual.
“Dita e zgjedhjeve është e diel, 12 prill 2026. Hungari, dilni dhe votoni për Viktor Orbán. Ai është një mik i vërtetë, luftëtar dhe fitues dhe ka mbështetjen time të plotë dhe të pakushtëzuar për rizgjedhjen si kryeministër i Hungarisë. Viktor Orbán nuk do ta zhgënjejë kurrë popullin e madh hungarez. Unë jam me të deri në fund”, deklaroi Donald Trump.
Mbështetja e Trump vjen përpara zgjedhjeve më të rëndësishme në Hungari, ku Viktor Orbán përballet me një nga sfidat më serioze politike në 16 vitet e fundit. Sipas sondazheve aktuale, partia opozitare Tisa, e udhëhequr nga Péter Magyar, ka hyrë në fazën përfundimtare të fushatës me avantazh ndaj Fidesz-it të Orbánit, megjithëse rezultati mbetet ende i pasigurt.
