Shteti në aksion, qytetarët në presion: radarë pa ndalë në gjithë vendin!

Projekti “Qytet i Sigurt” po zgjerohet, ndërsa qytetarët përballen me një mbikëqyrje gjithnjë e më të madhe. Pas disa qyteteve, tashmë radha i vjen edhe Strumicës, ku pritet të vendosen kamera inteligjente dhe sisteme të avancuara për kontrollin e trafikut dhe rendit publik.

Ky sistem synon të monitorojë çdo lëvizje në hapësirat urbane, duke përdorur analiza automatike për të identifikuar shkeljet dhe për të mundësuar reagim të shpejtë nga autoritetet. Në praktikë, kjo do të thotë më shumë gjoba, më shumë kontrolle dhe më pak hapësirë për gabime nga qytetarët.

Nga pushteti lokal theksojnë se projekti do të zbatohet në faza dhe do të shoqërohet me fushata informuese, duke e paraqitur si hap drejt rritjes së sigurisë dhe uljes së kriminalitetit. Megjithatë, për shumë qytetarë, kjo nënkupton një realitet të ri: një qytet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Pritshmëritë zyrtare janë për më shumë rend dhe siguri, por mbetet për t’u parë nëse “Qyteti i Sigurt” do të sjellë vërtet qetësi – apo vetëm më shumë presion dhe ndëshkime për qytetarët.

Back To Top