SKANDAL NË ÇAIR – “MASTERPLANI” SHNDËRROHET NË ASFALT, DYSHIME PËR TENDERËT DHE LIDHJET POLITIKE
Një projekt i shumëpromovuar si “masterplan” për ruajtjen e identitetit të Çarshisë ka përfunduar në improvizim, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e realizimit dhe prapaskenat e tij. Ajo që duhej të ishte një ndërhyrje që mbron trashëgiminë, sot po kritikohet si një degradim – me kalldrëme të zëvendësuara dhe pjesë që përfundojnë në asfalt.
Në një konferencë për media të mbajtur sot nga BDI, përfaqësuesja Imrane Veliu Aliu theksoi se ndërhyrja po e cenon identitetin dhe vlerën e Çarshisë, duke shtuar se projekti nuk po realizohet në përputhje me pritshmëritë e prezantuara para qytetarëve.
Në qendër të polemikave është kompania “Lendi Grup”, e themeluar vetëm në vitin 2024, e cila brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të fitojë një sërë tenderësh publikë me vlera të konsiderueshme. Pa histori të gjatë, pa referenca të konsoliduara dhe pa përvojë të dëshmuar në projekte të këtij niveli, kjo kompani po shfaqet si fituese e njëpasnjëshme – kryesisht në komuna të drejtuara nga VMRO-DPMNE.
Sipas Veliu Aliut, dyshimet shtohen edhe më tej nga përputhjet e çuditshme mes vlerës së parashikuar të tenderëve dhe ofertave fituese, duke ngritur pikëpyetje serioze për transparencën dhe drejtësinë e procesit.
Ajo shtroi pyetje publike: si është e mundur që një kompani e sapokrijuar të bëhet kaq shpejt dominuese? Kush qëndron pas saj dhe pse lidhet vazhdimisht me të njëjtin rreth politik?
Në këtë kontekst, u ngrit edhe dilema nëse Çairi po shndërrohet në një hallkë të një zinxhiri tenderësh që lidhen me interesa partiake.
BDI kërkon transparencë të plotë për të gjitha kontratat e “Lendi Grup”, për kriteret, ofertat dhe mënyrën e përzgjedhjes, duke theksuar se paratë publike nuk janë për eksperimente dhe as për shpërblime politike.
“Çairi është i qytetarëve”, theksoi Imrane Veliu Aliu.
