Abdul Selam Selami ka bërë të ditur se pas një periudhe të gjatë komunikimi me qytetarët dhe adresimit të problemeve në institucionet përkatëse, janë shënuar përmirësime konkrete në funksionimin e transportit publik në disa zona të qytetit.
Sipas tij, angazhimi i vazhdueshëm në terren dhe bashkëpunimi me Ndërmarrjen Publike për Transport kanë filluar të japin rezultate të dukshme, duke zgjidhur disa nga problemet më urgjente që kanë prekur qytetarët.
Një nga ndërhyrjet kryesore është realizuar në Bojane, ku është zgjidhur problemi i autobusit dykatësh që nuk mund të kalonte urën e fshatit, duke u zëvendësuar me një autobus njëkatësh funksional.
Ndërkohë, për linjën 18A në Vizbegovo, pas takimeve me menaxhmentin e ndërmarrjes, është konfirmuar se së shpejti do të vihet në funksion një minibus, i cili aktualisht ndodhet në servis dhe po përgatitet për këtë linjë.
Megjithatë, Selami thekson se sfida kryesore mbetet ende gjendja e flotës së vjetëruar të autobusëve, e cila kërkon investime më të mëdha dhe reforma afatgjata në transportin publik.
Ai vlerëson se përmirësimet e deritanishme janë vetëm hapi i parë drejt një sistemi më efikas dhe më të qëndrueshëm, duke theksuar se angazhimi i tij në mbrojtje të interesit të qytetarëve do të vazhdojë.
