Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke e akuzuar se po e mban peng interesin e qytetarëve për shkak të çështjeve të tij personale juridike.
Nga kjo parti shprehin shqetësim të thellë për, siç e cilësojnë, një situatë të paprecedentë politike dhe juridike. Sipas tyre, ekziston një dosje gjyqësore prej 320 faqesh që, sipas burimeve që i konsiderojnë kredibile, përdoret si mjet presioni ndaj Mexhitit nga kryeministri Hristijan Mickoski.
BDI pretendon se në këtë dosje dokumentohen shkelje të rënda ligjore në fushën e ndërtimtarisë ilegale në Çair, të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar dëm prej rreth 72 milionë euro në buxhetin komunal.
“Kjo nuk është vetëm çështje juridike, por një skandal politik i rendit të parë”, thuhet në reagim, duke shtuar se drejtësia nuk duhet të përdoret si instrument presioni politik.
Sipas BDI-së, kjo shumë e pretenduar e dëmit përkthehet në mungesë investimesh konkrete për qytetarët, si rrugë, shkolla, kopshte dhe shërbime publike.
Partia vlerëson se qëndrimi i Mexhitit në detyrë, në rrethana të tilla, dëmton besimin e qytetarëve dhe vendos interesin personal mbi atë publik. Për këtë arsye, ata kërkojnë që ai të japë dorëheqje dhe të përballet me proceset juridike si individ.
Në fund, BDI u bën thirrje institucioneve dhe faktorëve politikë që të reagojnë, duke theksuar se, sipas tyre, mosveprimi në këtë rast përbën bashkëfajësi.
