REAGON BDI ÇAIR : “POSHTËRIM NDAJ ARSIMTARËVE, JO REFORMË NË ARSIM!”

Një situatë që po cilësohet si skandaloze ka shpërthyer në Komunën e Çairit, pasi mësimdhënësit e gjuhës shqipe janë thirrur me njoftim të detyrueshëm nga drejtorët e shkollave për të marrë pjesë në një trajnim të paqartë.

Sipas reagimit të BDI në Çair, arsimtarëve u është komunikuar se bëhet fjalë për “trajnim për lëndën Gjuhë shqipe”, por vetëm pasi kanë mbërritur në komunë, kanë kuptuar se aktiviteti kishte të bënte me drejtshkrimin – një zhvillim që e rëndon edhe më shumë situatën.

“Është e papranueshme që mësimdhënësit e gjuhës shqipe të thirren me urdhër administrativ dhe të përballen me një trajtim nënçmues, sikur ata të mos zotërojnë bazat e profesionit të tyre,” thuhet në reagim.

BDI thekson se kjo qasje është e gabuar në përmbajtje dhe në formë. Në përmbajtje, sepse bëhet fjalë për profesionistë të kualifikuar dhe të diplomuar pikërisht në këtë fushë. Në formë, sepse zhvillimi profesional nuk mund të imponohet me detyrim, mungesë transparence dhe improvizime politike.

Në vend që fokusi të jetë tek problemet reale në arsim – si kushtet në shkolla, mungesa e mjeteve, ngarkesa administrative apo cilësia e teksteve – sipas tyre, është zgjedhur të krijohet një “spektakël mbi kurrizin e arsimtarëve”.

“Çfarë mesazhi u jepet nxënësve dhe prindërve kur profesorët e gjuhës shqipe thirren për t’u mësuar drejtshkrimi? Mesazhi është i qartë: mësuesi nuk respektohet dhe problemi kërkohet aty ku nuk është,” theksohet më tej.

Në fund, BDI kërkon që çdo program serioz për zhvillim profesional të realizohet në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet përkatëse, duke respektuar dinjitetin e mësimdhënësve.

“Çairi meriton arsim serioz. Arsimtarët meritojnë respekt.”

Back To Top