Skandal në VLEN: Mexhiti tradhton besën, vrapoi të puth dorën në Tiranë ndërsa partnerët i dogji

Kryetari i LD-së luajti lojë të pistë — përdori “sharjet” e Hoxhës për të nënçmuar Besën, pastaj ia vodhi edhe “fitoren” politike duke shkuar vetë në Tiranë.

Shkup — Është rrallë të shohësh kaq shumë paturpësi politike të paketuar në kaq pak ditë. Por Izet Mexhiti e arriti.

Ndërsa Besa ende i lante plagët pasi u gjend në qendër të një skandali të fabrikuar, kryetari i Lëvizjes Demokratike shkoi fshehurazi drejt Tiranës për t’u takuar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha — pa lajmëruar askënd, pa marrë dakordësinë e partnerëve dhe, më e rënda, pasi pikërisht ai dhe njerëzit e tij nxitën zjarrin kundër Hoxhës.

Kujtoni: dje, ministri i Ekonomisë nga radhët e Besës kishte reaguar ashpër ndaj Hoxhës pasi u bë publik një komunikim privat në WhatsApp, ku diplomatët shqiptarë flisnin me tone të ashpra për përfaqësuesit e VLEN-it. Besa doli para kamerave, bëri zhurmë, kërkoi llogari. Dukej si mbrojtëse e nderit kombëtar.

Por kush e mori “shpërblimin”? Mexhiti.

Ndërsa Besa po fliste me zë të lartë, Mexhiti po vepronte në heshtje. Shkoi në Tiranë. U takua me ministrin. U fotografua. U kthye si “ndërmjetës i madh”. Dhe Besës i la faturën.

Besa: “Kemi mësuar nga mediat”

Burime nga brendia e Besës konfirmojnë se drejtuesit e partisë kanë mësuar për vizitën e Mexhitit… nga mediat. Jo nga një telefonatë. Jo nga një mesazh. Nga lajmet. Sikur të ishin qytetarë të thjeshtë, jo partnerë koalicioni.

“Ky nuk është sjellje partneri. Kjo është tradhti e qartë,” tha një burim i lartë nga Besa që nuk dëshiroi të identifikohej.

Dhe kjo nuk është rastësi. Mexhiti e dinte saktësisht çfarë po bënte. Me kongresin e afërt të VLEN-it për rinovim drejtuesie, ai kishte nevojë për një moment “shtetari” — dhe e gjeti te kurrizet e partnerëve.

Loja e vjetër e Mexhitit: dëmto partnerin, merr lavdinë

Ata që e njohin Mexhitin nuk janë të habitur. Stili i tij “dhelprak” është i njohur mirë: lejo partnerin të bëjë zhurmën, lejo atë të marrë goditjet, pastaj hyr ti me buzëqeshje dhe dil si hero.

Besa hyri si luftëtare kundër Tiranës. Mexhiti doli si “ura me Tiranën.”

Back To Top