Nga Sefer Selimi
Debati aktual mbi përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet në një plan të gabuar. Diskutimi fokusohet tek Kushtetuta, tek Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, apo tek interpretimet e Komisionit të Venecias. Por problemi thelbësor nuk qëndron aty. Problemi është më i thellë: është mentaliteti arkaik i një doktrine politike që vazhdon të ndërtohet mbi paradigmën “Maqedonia e maqedonasve”.
Në këtë kontekst, referencat ndaj organizatave ndërkombëtare, ekspertizave, grupeve të punës dhe standardeve evropiane përdoren jo për të avancuar barazinë por për ta relativizuar atë. Gjuha shqipe, e sanksionuar si gjuhë zyrtare përmes Amendamentit V të Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, sfidon drejtpërdrejt këtë paradigmë sepse e zhbën idenë e pronësisë ekskluzive të shtetit nga një etni e vetme.
Reagimet politike që e kontestojnë këtë realitet nuk janë rastësore. Ato pasqyrojnë një përpjekje të vazhdueshme për ta kufizuar funksionalitetin real të barazisë. Deklaratat e Kryeministrit se “mund të flitet shqip” por jo në sferat kyçe si sistemi i drejtësisë, janë ilustrim i kësaj qasjeje selektive. Në këtë kuadër, edhe interpretimet e mendimit të Komisionit të Venecias përdoren në mënyrë të pjesshme, duke injoruar një element thelbësor: natyrën e tij këshilluese dhe faktin se ai bazohet në standarde minimale, pa marrë në konsideratë realitetin konkret të shtetit.
Realiteti faktik i Maqedonisë së Veriut është kompleks dhe i njëkohësisht i qartë. Shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 54.2%. Përtej këtyre shifrave ekzistojnë dy hapësira shoqërore dhe politike me dinamika të ndryshme: një pjesë perëndimore ku shqiptarët janë dominues dhe një pjesë lindore ku thuajse tërësisht dominojnë maqedonasit. Ndërlidhja mes këtyre dy realiteteve mbetet e kufizuar në aspektin ekonomik, kulturor dhe shoqëror.
Arkitektura kushtetuese e shtetit, e ndërtuar mbi Marrëveshjen e Ohrit, synonte pikërisht tejkalimin e kësaj ndarjeje përmes konceptit të bashkëqeverisjes. Ideja nuk ishte thjesht integrimi formal por krijimi i një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet komuniteteve kryesore, me respekt për diversitetin dhe përfshirje të komuniteteve të tjera.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një devijim nga ky parim themelor. Në vend të konsolidimit të barazisë, vërehet një tendencë për ta rikthyer narrativën e ekskluzivitetit shtetëror, ku të drejtat e shqiptarëve trajtohen si mëshirë dhe jo si të drejta të barabarta të garantuara me rend kushtetues.
Një qasje e tillë nuk e forcon shtetin unitar por e zhbën atë sepse stabiliteti i një shteti multietnik nuk buron nga dominimi i njërës palë por nga pranimi i realitetit dhe institucionalizimi i barazisë.
Në këtë kuptim, debatet për modele alternative të organizimit shtetëror nuk duhet demonizuar apriori. Sisteme të tjera qeverisëse nuk janë as tragjike, por domosdoshmërisht të përshtatshme për këtë kontekst. Ato thjesht reflektojnë përpjekje për ta harmonizuar strukturën e shtetit me realitetin shoqëror.
Megjithatë, nëse synohet ruajtja e modelit unitar atëherë një gjë është e qartë: ai mund të mbijetojë vetëm mbi bazën e një barazie të plotë dhe funksionale ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Çdo alternativë tjetër në thelb, arsyeton dështimin e tij.
