Amaneti i gjakut të dëshmorëve dhe drita e së ardhmes!

(Fjalimi i i Dr.Fatmir Hasani me rastin e shënimit të 2 Majit – Ditës kur u shoall Zonë e Lirë Sllupçani dhe Karadaku i Likovës)

Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të dashur bashkëkombës,
Vëllezër e motra,

Sot, jemi mbledhur këtu, mbi këtë tokë që flet me zërin e historisë. Fshati ynë – Sllupçani Legjendar, i mbështetur mbi këto shpate dhe i rrethuar nga gjelbërimi që u rrit me mund e djersë, nuk ka qenë kurrë vetëm një vendbanim. Ai ka qenë zemra që rrahu fort për lirinë, mbase edhe atëherë kur errësira e luftës u përpoq të mbulonte gjithçka.
Në kohët më të vështira, kur qielli rëndohej nga dhimbja, ky fshat u ngrit si një fortesë e pathyeshme e shpirtit shqiptar.

I dashur popull, këtu ndodhi Epopeja e sakrificës së UÇK-së. Në çdo derë të këtij fshati ka një histori sakrifice që na bën të përulemi. Prandaj, i kujtojmë sot:
Nënat tona, që i përcollën bijtë me lot në sy, por me krenari në zemër.
Burrat, që lanë arat e veglat e punës për të marrë në dorë pushkën e lirisë.
Të rinjtë, që u rritën brenda natës, duke e kuptuar se dinjiteti kombëtar kushton.

Epopeja e UÇK-së nuk ishte vetëm një përballje armësh; ishte klithma e një populli për të jetuar i barabartë në tokën e vet. Lavdia e të rënëve tanë nuk matet vetëm me sakrificën e tyre, por me idealin e pastër që i udhëhoqi për një të ardhme pa frikë dhe pa shtypje për fëmijët tanë.

Sot, përgjegjësia jonë është po aq e madhe sa ajo e luftës. Nuk mjafton vetëm të kujtojmë; duhet të veprojmë me urtësi. Forca jonë më e madhe ka qenë gjithmonë bashkimi. Kur kemi qenë një, kemi qenë të pathyeshëm. Përçarja është një plagë që na dobëson, ndaj sot duhet të zgjedhim rrugën e unitetit, përtej çdo interesi të ngushtë partiak e dallimi politik.

Një thirrje i bëj rinisë sonë: Mos e lini bosh vendin e fituar me gjak!
Pra, një mesazh të veçantë kam për ju, të dashur të rinj: Ju jeni ëndrra për të cilën u sakrifikuan breza të tërë. Mos e kërkoni të ardhmen tuaj larg këtyre trojeve. Kjo tokë ka nevojë për dijen tuaj, për energjinë tuaj.
Mos e braktisni atë që u fitua me gjak. Ndërtoni këtu, jetoni këtu, ëndërroni këtu…
Nëse të parët tanë dhanë jetën për këtë tokë, ne mund dhe duhet të japim përkushtimin tonë për ta bërë këtë vend më të mirë. Vetëm duke qëndruar këtu, sakrifica e dëshmorëve merr kuptim të plotë.

Të nderuar të pranishëm,
Le të ecim përpara me kokën lart, duke nderuar çdo gur të këtyre rrugicave që u bënë dëshmi e lirisë. Le të jemi të denjë për emrin tonë dhe për amanetin e të rënëve.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të kombit!
Rroftë uniteti ynë dhe e ardhmja e përbashkët në trojet tona!

(Dr.Fatmir Hasani është ndër mjekët e parë të Ushtrisë Kombëtare Çlirimitare në vitin 2001 i veshur me uniformë ushtarake)

Back To Top