Snopçe “godet” qeverinë: Po dështoni në ekonomi dhe diplomaci!
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në seancën e sotme parlamentare ngriti kritika të ashpra ndaj qeverisë, duke e akuzuar për dështime serioze si në ekonomi, ashtu edhe në diplomaci.
Snopçe kërkoi sqarim nga ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, lidhur me deklaratat e tij për ministrin e Jashtëm të Shqipëri, duke pyetur mbi çfarë faktesh apo informacionesh është mbështetur para se të dilte publikisht me reagime.
Sipas deputetit, informacioni që kishte shkaktuar reagimet fillestare më vonë është përgënjeshtruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, çka, sipas tij, ngre pikëpyetje serioze mbi verifikimin e burimeve nga ana e institucioneve.
“Publiku meriton të dijë nëse vendime dhe reagime të tilla janë bazuar në informata të konfirmuara apo në burime të paverifikuara,” theksoi Snopçe nga foltorja e Kuvendit.
Ai shtoi se zyrtarët duhet të tregojnë maturi në deklarata, sidomos në momente të ndjeshme diplomatike, duke kujtuar se tensione të tilla mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe interesat shtetërore.
