Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka theksuar se integrimi evropian nuk është vetëm proces teknik, por një transformim i thellë shoqëror që kërkon reforma gjithëpërfshirëse dhe angazhim të përbashkët institucional.
Duke folur në konsultimin kombëtar “Nga zotimet në veprim: Udhërrëfyesi i përgjegjshëm gjinor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, Sali tha se Bashkimi Evropian përfaqëson një bashkësi vlerash, ku barazia gjinore është një nga shtyllat kryesore.
“Integrimi evropian nuk matet vetëm me ligje të miratuara, por me ndikimin real që ato kanë në jetën e qytetarëve. Perspektiva gjinore duhet të jetë pjesë e çdo politike dhe reforme,” u shpreh Sali.
Ai theksoi gjithashtu se, pavarësisht progresit të deritanishëm, vendi përballet ende me sfida serioze si pabarazitë strukturore dhe nevoja për koordinim më të mirë institucional.
Megjithatë, procesi i integrimit evropian po shoqërohet me dallime të theksuara brenda qeverisë dhe partnerëve politikë. Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, një qëndrim që shihet si pengesë në avancimin e mëtejshëm të procesit të negociatave me BE-në.
Këto qëndrime të ndryshme brenda ekzekutivit po interpretohen si mungesë koordinimi politik në raport me agjendën evropiane, duke ngritur pikëpyetje për dinamikën e ardhshme të rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.
