Asnjë polic shqiptar mes 12 më të mirëve, asnjë shkronjë shqip – a ka përfaqësues shqiptar në MPB?

Ministria e Punëve të Brendshme shënoi Ditën e Policisë vetëm në gjuhën maqedonase, pa asnjë mbishkrim në shqip dhe pa adresim në gjuhën shqipe, duke nxitur reagime për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionin e sigurisë.

Në ceremoninë ku u shpallën 12 policët më të mirë të vitit, nuk u përfshi asnjë polic shqiptar. Edhe pse dekorimet përfshinë pjesëtarë nga tetë sektorë dhe katër qendra rajonale të MPB-së, jashtë listës mbeti edhe Tetova, qytet ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.

Mungesa e gjuhës shqipe dhe mosprania e policëve shqiptarë në mesin e të dekoruarve ka ngritur pyetje publike mbi rolin dhe ndikimin e përfaqësuesve shqiptarë në MPB. Deri tani, Ministria e Brendshme nuk ka dhënë sqarim se përse shqipja mungoi plotësisht nga aktiviteti dhe pse asnjë polic shqiptar nuk u vlerësua.

Në fjalimin e tij, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, foli për investimet në polici dhe rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai deklaroi se gjatë vitit të kaluar krimi i përgjithshëm është ulur për më shumë se 6 për qind dhe se janë shkatërruar disa grupe kriminale.

Nga ana tjetër, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, tha se policia e vendit po modernizohet dhe po ecën krah për krah me policitë bashkëkohore evropiane, duke përmendur investime në teknologji, pajisje dhe kushte më të mira pune.

Ndërkohë, opozita maqedonase LSDM reagoi duke akuzuar MPB-në për dështime në sferën e sigurisë. Sipas tyre, përkundër deklaratave për rezultate pozitive, vendi po përballet me rritje të dhunës, krimit dhe skandaleve, ndërsa kërkuan dorëheqjen e Toshkovskit pas, siç thonë, dështimeve të njëpasnjëshme në sistemin e sigurisë.

Back To Top