Lëvizja Anti-Bixhoz ka paralajmëruar rikthimin e protestave, duke akuzuar Qeverinë se prej dy vitesh nuk ka pranuar t’i takojë për të shqyrtuar kërkesat e tyre. Nga kjo lëvizje thonë se, përkundër premtimeve të dikurshme për “mbyllje totale” të lojërave të fatit, situata në terren vetëm është përkeqësuar.
Përfaqësuesi i lëvizjes, Jushi Emërllahu, deklaroi se mbeten në kërkesën që bastoret dhe kazinotë të largohen të paktën 500 metra vijë ajrore nga shkollat, çerdhet dhe institucionet fetare, ndërsa në të ardhmen të zhvendosen minimum tre kilometra larg qyteteve.
“Prej dy vitesh kemi pezulluar protestat duke pritur takime dhe realizimin e premtimeve për heqjen e kazinove, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete”, tha Emërllahu.
Ai theksoi se Lëvizja Anti-Bixhoz ka dërguar nëntë emaila deri te kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe te liderët e koalicionit VLEN, përfshirë Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin, por sipas tij, asnjëri nuk ka pranuar takim.
“Nëntë emaila kemi dërguar edhe kryeministrit Mickoski, VLEN-it, por veçmas edhe Bilall Kasamit e Izet Mexhitit, por nuk kanë pranuar takim deri më sot. Edhe Izet Mexhiti edhe Bilall Kasami gjithë fushatën e bënë me kërkesat e Lëvizjes Anti-Bixhoz, duke premtuar mbyllje totale të kazinove, por në terren ndodh e kundërta”, deklaroi Emërllahu.
Ai shtoi se të hyrat nga lojërat e fatit janë rritur dukshëm në vitet e fundit.
“Në vitin 2023 DAP ka marrë rreth një miliard euro tatim, ndërsa në vitin 2025 rreth 2.8 miliardë euro nga lojërat e fatit. Në vend që numri i kazinove të zvogëlohet, ai është shtuar. Andaj po përgatitemi për protesta më të ashpra se sa mendojnë”, deklaroi Emërllahu.
