Regjisori Rijani i përgjigjet deputetes Imeri Stafai: Puna juaj ose e dëshmon, ose e demanton nëse jeni “kopukë”
Regjisori i njohur shqiptar, Qendrim Rijani i ka reaguar deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, pas akuzave të saj ku e quan Shqipërinë “shtet narkotrafik” dhe “përçarës”. Debati ka plasur pas emisionit satirik “Portokalli”, ku kori i Emisionit të Top Channel i quajti “kopukë” politikanët shqiptarë të Qeverisë,
Në statusin e sotëm, deputetja ankohet për reagimet e opinionit ndaj saj, edhe pse ishte pikëtisht ajo që e baltosi Tiranën zyrtare, që nuk ka një lidhje me median private Top-Channel, e hiç më pak me emisionin satirik “Portokalli”.
Regjisori Rijani e përkujton deputeten Imeri Stafai se emisioni “Portokalli” në të kaluarën ka ironizuar dhe imituar edhe Sali Berishën, Edi Ramën, Hashim Thaçin, Ali Ahmetin… por reagime sikur këto të fundit, nuk ka patur asnjëherë.
Komenti i plotë i regjisorit Qëndrim Rijani:
Sarandë,
“Portokalli”, që nga themelimi, satirizon dhe imiton politikan. Ka bërë skeçe dhe himne për Sali Berishën, Edi Ramën e pothuajse për të gjithë politikanët e Shqipërisë. Për Hashim Thaçi etj …Ramush Haradinaj është imituar për 10 vite rresht, po ashtu edhe pothuajse të gjithë politikanët e Kosovës.
Shumë shpesh ka pasur skeçe edhe për ne në Maqedoni, në kohën e BDI dhe kohën e PDSH, është imituar Ali Ah dhe Arbër Xh… Asnjëherë asnjëri prej te gjithë këtyre më lart, apo partitë e tyre, nuk kanë pasur reagime me kaq shumë vrer kundër një skeçi.
Dakord, dikujt mund t’i dhembë, ashtu siç mund t’u ketë dhembur edhe atyre më sipër kur janë satirizuar apo imituar. Por nuk është detyrë e politikanëve të merren me artistët. Është detyrë e emisioneve të tilla të merren me politikën.
Pastaj është populli ai që vlerëson nëse kanë të drejtë apo jo. Ju vetë vini nga arti. Këshillojini kolegët të tregojnë me punë se nuk janë “kopukë”. Populli e vlerëson atë punë. Nuk ju nderon as juve, e as askënd që është i votuar nga populli, të hedhë vrer vetëm pse nuk bie dakord me një skeç humori. Në fund të fundit, puna juaj ose e dëshmon, ose e demanton atë me të cilën nuk jeni dakord.
Respekt dhe të mira.
E bëra këtë koment te ju, sepse e di që më kuptoni.
