Ballkani Perëndimor diskuton paqen në Shkup: Roli kyç i grave në zbatimin e marrëveshjeve.

Konferenca Rajonale “Translating Peace Agreements into Reality – Women Drive Sustainable Peace in the Western Balkans”, sot në Shkup mblodhi përfaqësues institucionalë, aktivistë dhe ekspertë të çështjeve të paqes dhe sigurisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të panelit, Liridona Beqiri dhe deputetja Arbana Pasholli diskutuan mbi rëndësinë e rolit të grave në proceset e paqes, sigurisë dhe vendimmarrjes, duke theksuar se përfshirja e grave në këto procese është thelbësore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe forcimin e demokracisë.
Ato theksuan se gratë kanë një rol kyç në promovimin e dialogut, bashkëpunimit dhe stabilitetit në rajon, ndërsa fuqizimi i tyre në institucionet vendimmarrëse mbetet një faktor i rëndësishëm për adresimin e sfidave të sigurisë dhe ndërtimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse.
Konferenca rajonale shërbeu gjithashtu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të paqes dhe avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
‘’Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për më shumë ndarje.
Ka nevojë për ndërtues të paqes.
Dhe shumë prej tyre janë gra’’- u theksua gjatë diskutimit, duke potencuar nevojën për përfaqësim më të madh të grave në proceset politike dhe të sigurisë në rajon.

Back To Top