“Tentim për të fshirë një civilizim” – si arriti zëri i studentëve shqiptarë deri te Kongresi Amerikan

Jon Selimi : Disa javë më parë, në kulmin e shqetësimeve tona si student shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kontaktova aktivistin e njohur shqiptaro-amerikan dhe mikun e familjes sime, z. Ilir Zenku. Bashkë nisëm të hartojmë një letër zyrtare drejtuar Kongresmenit amerikan Congressman Keith Self, për ta informuar mbi diskriminimin institucional që po u bëhet studentëve shqiptar lidhur me moszbatimin e Ligjit për Gjuhët.

Kur ai e lexoi letrën, reagimi i tij ishte i drejtpërdrejtë:
“Ky është tentim për të fshirë një civilizim. Ata do të dështojnë.”

Aty kuptova se zëri ynë kishte kaluar kufijtë e protestës studentore dhe kishte filluar të dëgjohej edhe ndërkombëtarisht.

Pas kësaj vazhduam protestat tona, organizimet, takimet dhe aktivitetet publike. Por, paralelisht me protestën, ne si studentë vendosëm të përdorim çdo mekanizëm demokratik dhe ligjor që kemi në dispozicion. Sepse lëvizja jonë nuk di vetëm të protestojë, di edhe të komunikojë, të argumentojë dhe të ndërtojë ura institucionale.

Kur morëm informacion se Kongresmeni Keith Self do të vizitonte Ballkanin, u angazhuam maksimalisht që zëri i studentëve shqiptarë të arrinte deri tek ai. Kjo u bë e mundur falë ndihmës dhe angazhimit të z. Ilir Zenku, z. Gezim Rushiti dhe organizatës Albanians For America, të cilëve u shpreh mirënjohjen time të plotë.

Takimi ynë me Kongresmenin ishte momenti më i rëndësishëm politik dhe diplomatik që ka arritur deri tani lëvizja jonë studentore shqiptare.

Diskutuam: arsyet e protestave tona, mënyrat konkrete për zgjidhjen e problemeve, moszbatimin e Ligjit për Gjuhët, shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Mesazhi ynë ishte po ai mesazh që e kemi dhënë çdoherë:
Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm zbatim të ligjit, barazi dhe dinjitet.

Kjo është vetëm një fazë e rrugëtimit tonë.
Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mekanizëm demokratik, institucional dhe ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat tona.
Historia nuk ndërtohet brenda natës.
Por ka momente që tregojnë se një gjeneratë ka vendosur të mos heshtë më.

Back To Top