E pranon edhe Mickoski, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat s’ka lidhje me përfaqësimin etnik

Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë nuk synon të bazohet në përqindje apo përfaqësim të komuniteteve në institucionet e shtetit, por në cilësinë dhe profesionalizmin e kuadrove. Kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë seancës së sotme për pyetje deputetësh në Kuvend. Ai tha se përqindjet nuk janë të rëndësishme, por cilësia, dhe për këtë arsye ai pret mbështetje nga të gjithë deputetët dhe theksoi se shteti ndërtohet kur ne mbështesim njëri-tjetrin, transmeton Portalb.mk.

“Unë mbështes mos-shikimin e vetes përmes prizmit të përqindjeve dhe për këtë arsye do të keni mundësinë shumë shpejt në Kuvend të votoni Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, ku përqindjet nuk janë të rëndësishme, por cilësia. Pres mbështetje. Nuk dua t’i shoh njerëzit përmes përqindjeve, por përmes cilësisë dhe përmes optikës objektive”,theksoi kryeministri Mickoski.

Ligji në fakt, është prezantuar si pasues i mekanizmave të mëparshëm për përfaqësim të drejtë, të cilët garantonin pjesëmarrje më të balancuar të komuniteteve në administratën shtetërore. Megjithatë, siç duket, fokusi zhvendoset nga kriteret numerike të përfaqësimit drejt vlerësimit të aftësive profesionale dhe kritereve objektive të punësimit.

Kjo, duket si devijim nga parimi i përfaqësimit proporcional të komuniteteve.

Sipas koalicionit VLEN në pushtet kjo zgjidhje ligjore do të ketë zbatim të mirë në praktikë për përfaqësim më të mirë dhe adekuat në administratën shtetërore.

Megjithatë, ky ligj sipas opozitares BDI nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.

Kurse, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka njoftuar se partia e tij e ka dorëzuar në procedurë parlamentare Ligjin që ata e kanë krijuar për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Paralelisht me propozim-ligjin e dorëzuar nga Ziadin Sela në Kuvend, tashmë në procedurë parlamentare ndodhet edhe Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i përgatitur nga Qeveria, i cili pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve u publikua në ueb-faqen e Kuvendit dhe ndodhet në lexim të parë.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Back To Top