VERA BARAZOHET ME DIMRIN: Faturat nën presion nga vapa

Harxhimet mes stinës së dimrit dhe asaj të verës janë shumë më të afërta se më parë. Arsyeja kryesore është se pothuajse çdo vit rritet numri i familjeve që instalojnë dhe përdorin kondicionerë për ftohje gjatë verës

Albina REKA

Shkup, 17 qershor – Konsumi i energjisë elektrike në familje ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, paralelisht me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të furnizuesit universal – EVN Home, familjet konsumuan rreth 3.22 gigavat-orë energji elektrike në vitin 2025, krahasuar me 2.99 gigavat-orë në vitin 2023. Ky është niveli më i lartë i konsumit familjar në pesë vitet e fundit. Sipas vlerësimeve të Komisioni Rregullator i Energjisë, rritja e konsumit nuk lidhet vetëm me shtimin e numrit të pajisjeve elektrike në amvisëri, por mbi të gjitha me përdorimin gjithnjë e më të madh të kondicionerëve gjatë muajve të verës.

Temperaturat e larta dhe valët e shpeshta të nxehtit kanë bërë që shumë familje të përdorin klimat për periudha më të gjata gjatë ditës dhe natës, duke rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike.

Në të kaluarën, konsumi i energjisë elektrike ishte dukshëm më i lartë gjatë dimrit, kryesisht për shkak të ndriçimit më të gjatë dhe përdorimit të pajisjeve për ngrohje. Megjithatë, kjo diferencë po zvogëlohet gradualisht. Sot, harxhimet mes stinës së dimrit dhe asaj të verës janë shumë më të afërta se më parë. Arsyeja kryesore është se pothuajse çdo vit rritet numri i familjeve që instalojnë dhe përdorin kondicionerë për ftohje gjatë verës. Në zonat urbane, klima është bërë një pajisje standarde në shumicën e banesave dhe shtëpive, ndërsa shumë familje posedojnë edhe më shumë se një njësi.

Një faktor tjetër që ndikon në rritjen e konsumit është ndryshimi i stilit të jetesës. Gjithnjë e më shumë pajisje shtëpiake funksionojnë me energji elektrike, përfshirë kompjuterët, televizorët inteligjentë, pajisjet e internetit, ngrohësit e ujit dhe pajisjet e kuzhinës. Gjithashtu, puna nga shtëpia dhe përdorimi më i madh i teknologjisë kanë bërë që konsumi i energjisë të shpërndahet gjatë gjithë ditës, duke rritur kërkesën totale vjetore. Ndërkohë, tek konsumatorët e vegjël, përkatësisht kompanitë që vazhdojnë të furnizohen në tregun e rregulluar, është regjistruar një ulje e konsiderueshme e konsumit. Në vitin 2025, konsumi i tyre ra me 22.72 për qind krahasuar me vitin 2024. Kjo mund të lidhet me investimet në efikasitet energjetik, optimizimin e proceseve të punës, si dhe kalimin e disa kompanive në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Back To Top