Brukseli paralajmëron për ndikimin serb, ndërsa hija e përgjegjësisë bie mbi projektin politik të Kurtit në Shkup

Ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka reaguar pas paralajmërimeve të fundit që vijnë nga Brukseli për rritjen e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut dhe ekspozimin e vendit ndaj narrativave të ashtuquajturës “Bota Serbe”.

Sipas Osmanit, kur Albin Kurti mbështeti ndryshimin e pushtetit në Shkup, ai e paraqiti atë si fitore të një politike të re ndaj establishmentit të vjetër. Megjithatë, sot raportet dhe debatet në institucionet evropiane po ngrenë shqetësime serioze për afrimin e vendit me Beogradin dhe për ndikimet që mund të cenojnë orientimin euroatlantik të shtetit.

“Politika nuk matet vetëm me qëllime, por mbi të gjitha me pasojat e saj”, thekson Osmani, duke ngritur pyetjen se si një lëvizje politike që e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb përfundoi duke mbështetur aktorë politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Serbinë.

Osmani vlerëson se shqiptarët në rajon kanë ndarë për dekada prioritete të përbashkëta strategjike, si integrimin euroatlantik, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, kur interesat partiake vendosen mbi këto objektiva, dëmi nuk u shkaktohet kundërshtarëve politikë, por vetë interesave kombëtare.

“Nuk është pyetja pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është kush do të marrë përgjegjësi dhe kush do të shpjegojë se si përfunduam në këtë situatë”, shprehet Osmani në reagimin e tij.

Back To Top