Gjatë fundjavës, në Brasilia të Brazilit, u zhvillua Kampionati Botëror Universitar në karate për seniorë. Shkupjania Rudina Aliu arriti një sukses historik në këtë ngjarje të madhe sportive, duke fituar medaljen e bronztë në konkurrencën ekipore.
Aliu, studente në Universitetin “Nënë Tereza” në drejtimin Sport dhe Shkenca Sportive, u shpreh shumë e kënaqur me këtë rezultat dhe shpreson që ai të vlerësohet edhe nga institucionet shtetërore përmes dhënies së një burse, e cila do të ndikonte ndjeshëm në zhvillimin e saj të mëtejshëm si sportiste e dalluar.
“Jam shumë e gëzuar për këtë rezultat, i cili erdhi pas përgatitjeve maksimale dhe motivimit të madh për të arritur një sukses që do të mbetet historik. Nuk do të ndalem këtu, pasi gjatë vitit më presin edhe disa gara në Premier League, si dhe angazhime me reprezentacionin, ku shpresoj të arrij suksese të reja. Tani presim që ne, si studentë, për këtë rezultat të shpërblehemi edhe nga institucionet, gjë që do të më ndihmonte jashtëzakonisht shumë për të ardhmen time”, tha Rudina Aliu.
Në këtë kampionat morën pjesë mbi 1.500 garues nga rreth 50 shtete të botës, ku secili shtet u përfaqësua nga sportistët më të mirë universitarë të disiplinave përkatëse.
Ndryshe, duhet theksuar se Rudina Aliu prej disa vitesh përfaqëson edhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut në karate, duke shënuar suksese të shumta në garat ku merr pjesë.
