Teksa po afrohet afati për rikonstruimin e kabinetit qeveritar, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja nëse VLEN po vepron si partner i barabartë në qeveri apo thjesht po ndjek vullnetin e kryeministrit Hristijan Mickoski.
Pas takimit me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, Mickoski u shpreh se bisedimet janë zhvilluar në një “atmosferë të mirë dhe të kënaqshme”, duke bërë të ditur se po shqyrtohen të gjitha opsionet, përfshirë edhe ndryshime të resorëve. Ai paralajmëroi se pjesa e parë e procesit do të formalizohet deri më 1 korrik, kur lista pritet të dorëzohet në Kuvend.
Megjithatë, vëmendjen e ka tërhequr fakti se kryeministri ishte ai që foli për afatet, opsionet dhe drejtimin e procesit, ndërsa nga VLEN nuk u përmend asnjë qëndrim konkret për emrat apo kërkesat e tyre në kuadër të rikonstruimit.
Në reagimin e tyre, VLEN u kufizua me deklarata të përgjithshme për “përshpejtimin e reformave” dhe “dinamikë të re”, pa dhënë detaje se cilat janë pozicionet e tyre në negociatat me partnerët qeveritarë.
Kjo ka hapur dilema në opinion nëse VLEN po arrin të imponojë agjendën e vet brenda ekzekutivit, apo po pranon vendimet që përcaktohen nga Mickoski, duke lënë përshtypjen se pesha kryesore e vendimmarrjes mbetet në duart e kryeministrit.
