Pakënaqësitë brenda VLEN-it po dalin hapur. Në shënjestër të revoltës së aktivistëve është vendosur zv/sekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, i cili po akuzohet nga vetë mbështetësit e koalicionit se ka harruar aktivistët që kontribuuan për ardhjen e VLEN-it në pushtet.
Një aktivist i VLEN-it, përmes një reagimi publik në Facebook, ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj Murtezanit, duke pretenduar se njerëzit që punuan dhe u angazhuan për VLEN-in janë lënë në harresë, ndërsa përfituesit e vetëm janë familjarët dhe të afërmit e funksionarëve.
“Na latë në rrugë, ndërsa punësuat familjarët”, është mesazhi që përmbledh revoltën e shumë aktivistëve të pakënaqur, të cilët ndihen të tradhtuar dhe të shpërfillur nga drejtuesit e tyre.
Reagimi i publikuar në rrjetet sociale është vetëm një nga shenjat e pakënaqësisë në rritje brenda VLEN-it, ku gjithnjë e më shumë zëra po ngrenë akuza për nepotizëm, favorizime dhe mungesë të vlerësimit për ata që kontribuuan në fushatë dhe në ardhjen e koalicionit në pushtet.
Për kritikët, rasti i Hasim Murtezanit është shembull i shkëputjes së funksionarëve nga baza e tyre, duke lënë aktivistët me premtime të papërmbushura dhe me ndjenjën se janë përdorur vetëm për të siguruar votat.
