Një deklaratë e kryeministrit Hristijan Mickoski ka nxitur reagime, pasi ai pranoi publikisht se me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, kanë zhvilluar më herët biseda për emërtimin e rrugëve në Tetovë që aktualisht mbajnë numra ose nuk kanë emra.
Sipas Mickoskit, ideja ka qenë që këto rrugë të marrin emrat e personave që, sipas tij, kanë qenë meritorë për Maqedoninë si shtet i pavarur. Ai theksoi se qëndron pas kësaj nisme dhe se rrugët nuk duhet të mbeten me numra, por të mbajnë emrat e figurave që kanë kontribuar për shtetin maqedonas.
Deklarata e kryeministrit ka ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një koordinim të mëhershëm mes Mickoskit dhe Kasamit për çështje që prekin identitetin dhe emërtimin e hapësirave publike në Tetovë. Pranimi se këto biseda janë zhvilluar më herët ka shtuar dilemat nëse vendime të tilla janë diskutuar paraprakisht larg syrit të opinionit publik.
“Me Bilall Kasamin kemi biseduar për emra të rrugëve që janë me numër ose pa numër, që të marrin emra të njerëzve që janë meritorë për Maqedoninë si shtet i pavarur”, deklaroi Mickoski.
