Koalicioni qeverisës po hyn në fazën finale të negociatave për riformatimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në një proces që sipas burimeve të Gazeta Express pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e kabinetit. Këto zhvillime vijnë në kohën kur partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM kanë intensifikuar bisedimet për rikonstruktimin qeveritar, proces i cili është konfirmuar publikisht edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas informacioneve jo zyrtare megjithatë ekskluzive të siguruara nga Gazeta Express, në kuadër të riformatimit pritet të realizohen këto ndryshime:
Salim Sulejmani do të emërohet Ministër i Kulturës;
Jeton Shasivari do të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë;
Bekim Sali pritet të zëvendësojë Ivan Stoilković në resorin që aktualisht drejtohet prej tij;
Azir Aliu pritet të marrë drejtimin e Ministrisë për Sport dhe Integrim;
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, VMRO-DPMNE do të mbajë nën kontroll dikasteret e Politikës Sociale dhe Shëndetësisë.
Burime politike bëjnë të ditur se brenda VLEN-it po shqyrtohen jo vetëm ndryshime të emrave të ministrave, por edhe rishpërndarje të kompetencave dhe resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit. Ditët e fundit drejtues të VLEN-it kanë konfirmuar se ekziston një koncept i brendshëm për riformatimin e Qeverisë, ndërsa detajet finale pritet të harmonizohen në takimet me kryeministrin Mickoski.
Riformatimi vjen në një periudhë të ndjeshme politike, pas debateve për performancën qeveritare dhe pritjeve për një fazë të re të reformave. Në qarqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, mediat kanë raportuar gjatë javëve të fundit për mundësinë e rokadave ministrore dhe përpjekjet e VLEN-it për të konsoliduar pozicionet e saj në ekzekutiv.
Nëse këto ndryshime konfirmohen zyrtarisht, ato do të përbëjnë riorganizimin më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar që nga formimi i Qeverisë aktuale, duke sinjalizuar një fazë të re në marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit dhe në përfaqësimin e shqiptarëve në ekzekutiv.
Gazeta Express do të vazhdojë të raportojë ekskluzivisht për zhvillimet dhe vendimet përfundimtare që pritet të merren gjatë ditëve në vijim./Express/.
