Mungesa e Mexhitit në 25-vjetorin e Betejës së Haraçinës ngre pikëpyetje në opinion. Frika nga Mickoski?

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, nuk mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Haraçinës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së konfliktit të vitit 2001. Mungesa e tij tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, veçanërisht për faktin se organizator i aktivitetit ishte kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, kuadër i partisë që drejtohet nga vetë Mexhiti.

Përveç Mexhitit, në aktivitet nuk u panë as figura të tjera të nivelit të lartë nga koalicioni VLEN, gjë që nxiti reagime dhe komente në publik. Disa gazetarë dhe analistë ngritën pyetjen se përse përfaqësuesit kryesorë të koalicionit munguan në një manifestim kushtuar luftëtarëve të UÇK-së dhe një beteje që zë vend të veçantë në memorien kolektive të shqiptarëve.

Në rrjetet sociale dhe në debatet publike janë artikuluar dyshime se mungesa mund të lidhet me kalkulime politike brenda qeverisë, ku VLEN është partner i koalicionit të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski. Kritikat shkojnë deri aty sa të shtrohet pyetja nëse partnerët shqiptarë të qeverisë po shmangin pjesëmarrjen në ngjarje ku në qendër të vëmendjes është trashëgimia e UÇK-së.

Deri më tani nuk ka pasur një sqarim publik nga Mexhiti për mungesën e tij në këtë përvjetor. Pikërisht kjo heshtje ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme politike.

Back To Top