PAS ALARMIT TË NGRITUR NGA BDI, SHBA RIKONFIRMON MBROJTJEN E MARRËVESHJES SË OHRIT

Vetëm disa javë pas takimeve të delegacionit të BDI-së, të udhëhequr nga Ali Ahmeti, me kongresmenë amerikanë në Uashington dhe pas takimeve të fundit me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar edhe për një vit Urdhrin Ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh masa kundër atyre që cenojnë paqen, stabilitetin dhe marrëveshjet e paqes në rajon, përfshirë edhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Në dokumentin e publikuar në Regjistrin Federal Amerikan ritheksohet se veprimet që minojnë marrëveshjet e pasluftës, institucionet demokratike dhe integrimin euroatlantik vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-ve. Urdhri ekzekutiv mbetet në fuqi edhe për një vit tjetër. (Federal Register)

Ky zhvillim vjen në një moment kur BDI ka intensifikuar komunikimin me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke ngritur alarmin për tendencat e rrezikshme të cenimit të Marrëveshjes së Ohrit, dobësimin e mekanizmave të barazisë dhe përpjekjet për revizion të arritjeve të vitit 2001.

Në takimet e zhvilluara në Uashington, delegacioni i BDI-së kishte kërkuar angazhim më të madh amerikan për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se sulmet ndaj saj nuk janë vetëm çështje e shqiptarëve, por sfidë ndaj stabilitetit dhe orientimit euroatlantik të shtetit.

Vazhdimi i Urdhrit Ekzekutiv amerikan dërgon një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara mbeten garantuese të paqes, stabilitetit dhe marrëveshjeve që kanë ndërtuar arkitekturën e sigurisë në Ballkan, përfshirë edhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. (Public Inspection Federal Register)

Back To Top