Dy vjet pas hyrjes në Qeveri, një pjesë e madhe e premtimeve publike të koalicionit VLEN mbeten të parealizuara. Përveç zotimeve të prezantuara gjatë fushatës zgjedhore, edhe premtime të tjera të rëndësishme nuk kanë marrë epilog, ndërsa për disa prej tyre nuk ka as afate të qarta se kur do të realizohen.
Në mesin e premtimeve që ende nuk janë përmbushur, sipas listës së publikuar gjatë fushatës, janë:
- Ndërtimi i konsensusit për një Kushtetutë të re.
- Barazia e plotë kushtetuese, ligjore dhe praktike.
- Barazimi i gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase.
- Ndryshimi i ligjit për festat.
- Përdorimi i barabartë i himnit, stemës dhe flamurit shtetëror.
- Ndarja e aksioneve shtetërore për qytetarët.
- Krijimi i Bankës Shqiptare.
- Themelimi i Akademisë Shqiptare.
- Fillimi i realizimit të rrugës Tetovë–Prizren.
- Porti i thatë në Strugë.
- Banesa për çiftet e reja me zero kamatë.
- Pension minimal për qytetarët pa sigurime dhe rritje për pensionet e tjera.
- Kartoni i gjelbër me çmim 1 euro.
- Lojëra panshqiptare dhe Erasmus shqiptar.
- Përmendja e gjuhës shqipe me emër në Kushtetutë.
- Drejtimi i Ministrisë së Brendshme nga një shqiptar.
- Dëmshpërblimi i të ndjekurve politikë dhe hapja e dosjeve jugosllave.
- Ligji për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
- Reforma territoriale dhe ndarja e vendit në tetë njësi elektorale.
- Krijimi i një gjykate të posaçme për çështjet e punës.
Sipas vlerësimeve dhe krahasimit me programin zgjedhor, lista e premtimeve të parealizuara është edhe më e gjatë.
Ndër to përmenden:
- Mosformimi i Ministrisë për Diasporën.
- Moskrijimi i Këshillit Kombëtar me Shqipërinë dhe Kosovën, i cili do të përfaqësonte shqiptarët nga të gjitha trojet.
- Mungesa e realizimit të shtesave prej 1.000 denarësh në muaj për fëmijët.
- Mosunifikimi i kurrikulave arsimore me Shqipërinë dhe Kosovën.
- Mungesa e kontrolleve shëndetësore falas për qytetarët.
- Mosrealizimi i kuotës 40% për gratë në pozitat e emëruara.
- Mungesa e organizimit të bujqve në shoqata dhe kooperativa, siç ishte premtuar.
Një nga çështjet që ka shkaktuar më shumë debat është edhe Ligji për Përfaqësim të Drejtë. Edhe pse ka kaluar rreth një vit e gjysmë nga marrja e pushtetit, ligji ende nuk është miratuar dhe vazhdon të jetë në procedurë parlamentare. Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar bllokadë dhe e ka cilësuar atë si një zgjidhje të papranueshme, duke lënë të paqartë fatin e tij.
Po ashtu, ende nuk është realizuar premtimi për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Për këtë çështje protestuan edhe studentët shqiptarë, ndërsa zgjidhja ligjore e paralajmëruar nuk është promovuar. Sipas informacioneve të bëra publike deri më tani, modeli i propozuar parashikon që pjesa teorike të zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht, një zgjidhje që është kritikuar në opinion si “pak shqip, pak maqedonisht”.
Këto përbëjnë vetëm një pjesë të dhjetëra zotimeve të programit zgjedhor që, sipas vlerësimeve të deritanishme, nuk kanë marrë ende zbatim konkret.
