20 premtimet e pa-premtuara të Bekim Salit

VLEN duket se ka shpikur një shkencë të re politike: kur nuk realizohen premtimet që u janë dhënë qytetarëve, shpiken premtime që askush nuk i ka dëgjuar.


Ky është zbulimi i madh i “politikës kreative” të Bekim Salit – sekretarit të VLEN-it: 20 premtime nuk u realizuan, por mos u shqetësoni, sepse janë realizuar 20 të tjera.
Një mrekulli e vërtetë. Vetëm ekziston një problem i vogël: askush nuk e di cilat janë ato premtime, kur janë dhënë dhe kujt ia kanë premtuar.
Me sa duket, në epokën e re politike programet nuk shkruhen më para zgjedhjeve. Ato hartohen pas zgjedhjeve, sipas nevojës për të mbushur boshllëkun mes premtimit dhe realitetit, e në rastin konkret, për të kënaqur padronin.
Qytetari kërkon bukë, ndërsa politika i sjell sapun. Pastaj i thotë: “Mos u anko, edhe sapuni është produkt bazik.”


Një nga premtimet më të mëdha ishte punësimi i mijëra shqiptarëve në institucione.
U shpall si ndryshim historik. Qytetarët panë një film tjetër: largime nga puna të shqiptarëve në pozita të ndryshme dhe zëvendësime që ngritën shumë pikëpyetje.
Pastaj erdhi deklarata magjike: “2500 shqiptarë janë punësuar.”
Një shifër aq e madhe sa mund të mbushte stadiume.
Por pyetja e vogël mbeti pezull: Ku janë këta 2500 shqiptarë?
Ndoshta janë punësuar në ndonjë institucion të padukshëm, në ndonjë sektor sekret, ku punonjësit ekzistojnë vetëm në konferenca për shtyp.
Sepse sipas politikës Vleniste, mjafton që një numër të thuhet me bindje dhe gjysma e betejës është fituar.
VLEN erdhi me premtimin e ndryshimit. Premtoi një qeverisje ndryshe, më transparente, më të drejtë dhe më afër qytetarit.


Por shumë qytetarë sot pyesin: a erdhi ndryshimi apo vasaliteti si formë e qeverisjes.
Një tjetër paradoks i kësaj periudhe politike është mënyra se si është përdorur vota shqiptare.
Qytetarët votuan duke kërkuar dinjitet, përfaqësim dhe ndryshim, por rezultati politik, solli situata ku vota shqiptare ndikoi në zgjedhjen e kandidatëve nga kampet maqedonase në disa komuna.
Dhe këtu lind pyetja e dhimbshme:
A u bë vota shqiptare mjet për fuqizimin e shqiptarëve, apo për shfuqizimin e tyre?
Nëse dikur shqiptari ndihej zot në vendin e vet, sot disa frikësohen se po i caktohet roli i qiramarrësit në shtëpinë e vet.
Në fund lind pyetja e thjeshtë: Nëse 20 premtime nuk u realizuan, ndërsa 20 të tjera po, pse qytetarët nuk i shohin?
Politika nuk matet me statuse në Facebook, konferenca për shtyp dhe tabela me ngjyra.
Politika matet me:
Punën që ke.
Rrugën ku ecën.
Çerdhen ku çon fëmijën.
Gjuhën që përdor në institucion.
Drejtësinë.
Dinjitetin që ndjen si qytetar.
Nëse mosrealizimi i premtimeve quhet sukses, atëherë kemi zbuluar formulën më të re politike: suksesi më i madh i VLEN-it nuk është ajo që ka bërë, por aftësia për ta shpjeguar atë që nuk është bërë.
Sepse në politikë, mrekullia më e madhe nuk është realizimi i premtimeve, por bindja e qytetarëve se mungesa e tyre është një arritje.

Back To Top