Rikonstruimi Qeveritar – ndërrohet ekuipazhi, por anija vazhdon të fundoset

Në politikë ekziston një formulë e vjetër: kur një qeveri nuk arrin të ndryshojë realitetin, ndryshon ministrat. Është një lloj kirurgjie politike ku shpesh ndërrohet mjeku, por sëmundja mbetet po ajo.
Maqedonia e Veriut sot duket gjithnjë e më shumë si një gropë e zezë politike në mes të Ballkanit – një vend ku energjia harxhohet më shumë në përplasje, arsyetime dhe beteja simbolike, sesa në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve.
Tani na vjen rikonstruimi i Qeverisë, i prezantuar si një shans i ri, një fillim i ri dhe një kthesë e re. Por pyetja që shqetëson qytetarët është shumë më e thjeshtë: A ndryshon diçka kur ndryshohen vetëm emrat, ndërsa mënyra e qeverisjes mbetet e njëjtë?
Sepse deri tani, shumë nga ministrat e kësaj qeverie nuk do të mbahen mend për reforma historike, por për debatet që hapën, konfliktet që prodhuan dhe problemet që i lanë pas. Disa prej tyre ishin aq të heshtur, sa qytetarët mezi e kuptuan nëse kishin ministër apo thjesht një emër në listën zyrtare të Qeverisë.
Në disa resore, arritja më e madhe duket se ka qenë mbijetesa politike. Në vend të projekteve të mëdha, kemi parë deklarata të mëdha. Në vend të rezultateve konkrete, kemi pasur konferenca për media. Në vend të zgjidhjeve, kemi pasur shpjegime pse zgjidhjet ende nuk kanë ardhur.
Sa i përket politikës së jashtme, suksesi duket edhe më “mbresëlënës”: në vend që të hapen dyer të reja, shpesh janë hapur debate të reja. Procesi evropian vazhdon të qëndrojë në vend, ndërsa politikanët vazhdojnë të na bindin se jemi vetëm “një hap larg”. Problemi është se këtë hap e kemi dëgjuar prej vitesh dhe ende askush nuk e ka bërë.
Ekonomia? Edhe këtu kemi një mrekulli të veçantë. Shteti vazhdon të ecë përpara falë huamarrjeve të reja, sikur borxhi të ishte një industri kombëtare. Nëse do të kishte një medalje evropiane për marrjen e kredive, ndoshta Maqedonia e Veriut do të ishte kandidat serioz për podium.
Por qytetarët nuk jetojnë nga kreditë, statistikat dhe fjalimet. Ata jetojnë nga pagat, vendet e punës, shërbimet publike dhe siguria se shteti funksionon.
Prandaj, rikonstruimi i Qeverisë nuk duhet të jetë thjesht një lojë me karrige ministrore. Sepse ndërrimi i lojtarëve nuk sjell fitoren nëse taktika mbetet e gabuar.
Një qeveri e re me të njëjtën mentalitet, të njëjtat metoda dhe të njëjtat prioritete, rrezikon të jetë vetëm një sezon i ri i një seriali të vjetër politik.
Pyetja kryesore nuk është: Kush do të bëhet ministër?
Pyetja është: A do të bëhet më në fund shtet Maqedonia e Veriut, apo do të vazhdojë të jetë një projekt eksperimental ku qytetarët janë gjithmonë ata që paguajnë faturën?

Back To Top