Aki në Çair kërkon kompensimin urgjent të dëmeve nga përmbytjet dhe përgjegjësi për dështimet institucionale
Këshilltarët e AKI-së në Këshillin e Komunës së Çairit kanë kërkuar që Komuna të shpallë menjëherë thirrje publike për evidentimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit.
Sipas tyre, dhjetëra familje dhe biznese kanë pësuar dëme serioze, ndërsa deri më tani mungon një plan i qartë institucional për trajtimin e pasojave.
Në seancën e Këshillit, AKI ka kërkuar që Komisioni për vlerësimin e dëmeve të dalë menjëherë në terren, të evidentojë të gjitha dëmet dhe të përfundojë procedurat në afatin më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që qytetarët të kompensohen pa vonesa.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për justifikime, por për veprim,” theksuan këshilltarët e AKI-së, duke vlerësuar se reagimi institucional duhet të jetë i shpejtë dhe efikas.
Përveç kompensimit të dëmeve, AKI ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë politike dhe institucionale për përmbytjet, duke kërkuar sqarime se pse një reshje shiu prej disa orësh paralizoi lagje të tëra të Çairit.
Sipas tyre, qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku kanë përfunduar premtimet për modernizimin e infrastrukturës, projektet për kanalizimin atmosferik dhe investimet për mbrojtjen nga vërshimet, ndërsa kanë kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia për dështimet që sollën këtë situatë.
AKI ka bërë të ditur se do të vazhdojë të insistojë në dy kërkesa kryesore: kompensimin e drejtë dhe të shpejtë të çdo qytetari të dëmtuar, si dhe vendosjen e përgjegjësisë për mosveprimet institucionale që, sipas tyre, kanë kontribuar në pasojat e përmbytjeve.
“Qytetarët e Çairit meritojnë institucione që parandalojnë problemet, e jo institucione që reagojnë vetëm pasi dëmi është bërë”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të AKI-së.
