Me rastin e 4 Korrikut, Rinia e Bashkimit Demokratik për Integrim zhvilloi homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Sllupçan, duke nderuar me respekt dhe mirënjohje të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Gjatë homazheve, një vëmendje e veçantë iu kushtua Abdulmexhid Shahinit, dëshmorit më të ri të UÇK-së, i cili ra heroikisht në moshën vetëm 13-vjeçare. Nga Rinia e BDI-së u theksua se sakrifica e tij mbetet simbol i përkushtimit dhe dashurisë për lirinë, duke shërbyer si frymëzim për brezat e rinj.
Pas homazheve, delegacioni vizitoi familjen e dëshmorit Abdulmexhid Shahini, ku u prit nga prindërit, motra dhe familjarët e tij. Takimi u zhvillua në një atmosferë respekti dhe emocionesh, me mesazhin se kontributi i familjeve të dëshmorëve mbetet pjesë e pandashme e kujtesës sonë kombëtare.
Nga Rinia e BDI-së u theksua se ruajtja e kujtesës historike është përgjegjësi e çdo brezi dhe se sakrifica e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare do të vazhdojë të nderohet me dinjitet dhe respekt.
“Lavdi e përjetshme Abdulmexhid Shahinit dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ishte mesazhi i përcjellë nga të rinjtë e BDI-së gjatë homazheve në Sllupçan.
