Integritet, transparencë dhe meritokraci – BDI Çair miraton Kodin Etik
Dega e Çairit e BDI-së ka miratuar dhe nënshkruar Kodin Etik të Kryesisë, në kuadër të punëtorisë për planifikimin strategjik, gjatë së cilës u miratuan edhe Strategjia dhe Plani i Veprimit të degës.
Kodi Etik përcakton parimet që do të udhëheqin punën e Kryesisë, duke vënë në qendër integritetin, përgjegjësinë, transparencën, meritokracinë, respektin reciprok dhe unitetin në veprim. Çdo anëtar i Kryesisë mori përsipër një zotim personal për respektimin e këtyre standardeve në ushtrimin e përgjegjësive të tij.
Nga Dega Çair theksojnë se besimi i qytetarëve ndërtohet jo vetëm përmes programeve dhe rezultateve konkrete, por edhe përmes kulturës politike, disiplinës organizative dhe llogaridhënies.
Punëtoria u përmbyll me mesazhin: “Mendim i lirë në debat, unitet në veprim, përgjegjësi para qytetarëve.”
