Mos u krenoni me punën e të tjerëve” – Osmani: Autostrada Shkup–Bllacë është projekt i BDI-së

Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj konferencës për shtyp të organizuar nga VLEN për autostradën Shkup–Bllacë, duke hedhur poshtë pretendimet për merita në këtë projekt. Sipas tij, autostrada është projekt i nisur dhe i përgatitur gjatë qeverisjes së BDI-së, ndërsa VLEN nuk ka dhënë asnjë kontribut në realizimin e saj.

“E shoh se VLEN paska organizuar sot konferencë për shtyp për autostradën Shkup–Bllacë. Me përgjegjësinë më të madhe e them: VLEN nuk ka asnjë kontribut, as më të voglin, në kontratën e nënshkruar për këtë autostradë”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se financimi i projektit, hartimi i dokumentacionit, sigurimi i mjeteve financiare, shpronësimet, procedurat administrative dhe shpallja e tenderit janë realizuar të gjitha gjatë qeverisjes ku BDI ishte pjesë.

Osmani akuzoi VLEN-in se gjatë dy viteve të fundit nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar projektin përpara, por përkundrazi, sipas tij, është përpjekur ta bllokojë dhe ta devijojë trasenë.

“Gjatë këtyre dy viteve, VLEN nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar projektin përpara. Përkundrazi, e vetmja gjë që kanë tentuar ka qenë ta bllokojnë dhe ta devijojnë trasenë. Fakti që ne realizuam segmentin e parë prej 2 kilometrash ua pamundësoi ta kthenin projektin nga autostradë në rrugë magjistrale”, u shpreh ai.

Në fund, nënkryetari i BDI-së porositi se meritat për këtë projekt nuk mund t’i marrin ata që, sipas tij, nuk kanë kontribuar në asnjë fazë të realizimit.

“Prandaj, për këtë projekt nuk mund të marrin merita ata që nuk kanë vendosur asnjë gur të vetëm. Mos u krenoni me punën e të tjerëve. Autostrada Shkup–Bllacë është projekt i BDI-së”, përfundoi Osmani.

Back To Top