Osmani: Për herë të parë që nga anëtarësimi në NATO, pa asnjë përfaqësues qeveritar shqiptar
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me përbërjen e delegacionit shtetëror në Samitin e NATO-s, duke theksuar se për herë të parë që nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike, në një delegacion zyrtar shtetëror nuk ka asnjë përfaqësues qeveritar shqiptar.
Sipas Osmanit, kjo paraqet një tregues të qartë të degradimit të pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
“Kjo është fotografia më e qartë e degradimit të pozitës së shqiptarëve në këtë shtet. Dhe për këtë, fajin nuk e ka VMRO-DPMNE”, është shprehur Osmani.
Deklarata e tij ka nxitur reagime në opinion, duke hapur debat mbi nivelin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe në delegacionet që përfaqësojnë shtetin në ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare.
