Dashi Veizaj: Të sulmosh ambasadorin e Shqipërisë do të thotë të sulmosh vetë Shqipërinë

Ka ngjallur reagime të forta deklarata e deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, e cila përdori gjuhë fyese ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Mes kritikëve më të ashpër është Dashi Veizaj, i cili e cilësoi këtë sjellje si të turpshme dhe skandaloze.

Sipas Veizajt, sulmi ndaj ambasadorit nuk është thjesht një përplasje politike, por një fyerje ndaj vetë shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij. “Të sulmosh ambasadorin e Shqipërisë do të thotë të sulmosh vetë Shqipërinë”, thekson ai.

Veizaj kritikon ashpër gjuhën e përdorur nga deputetja e VLEN-it, duke vlerësuar se një përfaqësuese e zgjedhur e shqiptarëve duhet të kontribuojë në ruajtjen e unitetit kombëtar dhe jo të përdorë etiketime e ofendime ndaj përfaqësuesve zyrtarë të Shqipërisë.

Ai rikujton se ambasadori Denion Meidani ishte i pranishëm në një aktivitet rinor me ftesë të organizatorëve, me synimin për të mbështetur bashkëpunimin dhe afrimin e të rinjve shqiptarë. Në vend të përshëndetjes së kësaj nisme, sipas Veizajt, deputetja e VLEN-it zgjodhi gjuhën e përçarjes dhe sulmit.

Në reagimin e tij, Veizaj i bën thirrje deputetes që të ndalojë gjuhën fyese dhe të mos dëmtojë frymën e bashkimit mes shqiptarëve, duke theksuar se interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo përplasje politike.

Back To Top