Nga premtimi për 6 muaj te fjalët boshe të deputetes Mimoza Musa për BE-në

Deputetja e koalicionit VLEN, Mimoza Musa, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, deklaroi se “vazhdojmë me dinjitet dhe përkushtim rrugën për ta rreshtuar vendin tonë si anëtar të barabartë në familjen evropiane”, duke e përmbyllur mesazhin me sloganin: “VLEN të jemi pjesë e BE-së!”.

Megjithatë, kjo deklaratë ka nxitur pikëpyetje në opinion, duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe qëndrimet e partnerëve të koalicionit qeverisës.

Pyetja që shtrohet është: në cilin realitet politik po jeton deputetja e VLEN? Si mund të flitet për përkushtim ndaj integrimit evropian, kur partneri kryesor i koalicionit, VMRO-DPMNE, vazhdon të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese, të cilat Bashkimi Evropian i ka vendosur si kusht për vazhdimin e procesit të negociatave?

Po ashtu, rikujtohet se gjatë formimit të qeverisë dhe koalicionit me VMRO-DPMNE-në, drejtues të VLEN deklaronin publikisht se brenda gjashtë muajve do të siguroheshin kushtet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Afati i premtuar ka kaluar, ndërsa asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për sigurimin e shumicës së nevojshme prej dy të tretash në Kuvend.

Përderisa BE-ja vazhdon të përsërisë se ndryshimet kushtetuese mbeten kushti kyç për ecjen përpara në procesin e integrimit, mbetet për t’u parë nëse VLEN do të arrijë ta bindë partnerin e saj qeverisës të ndryshojë qëndrim, apo do të vazhdojë të promovojë mesazhe proevropiane pa rezultate konkrete.

Back To Top