BDI Çair: Nga çerdhja në MEPSO – drejtoresha avancon, të rinjtë presin punë
Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega Çair ka reaguar ndaj emërimit të ish-drejtoreshës Gëzime Bakiu në MEPSO, duke e cilësuar këtë si një shembull të shpërblimit të dështimit, ndërsa të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar vazhdojnë të mbeten në pritje të një vendi pune.
Sipas reagimit të BDI Çair, mandati i Bakiut në drejtimin e çerdheve “Fidani” dhe “Bambi” u shoqërua me degradim të infrastrukturës, mungesë të sigurimit shëndetësor për të punësuarit dhe vonesa disamujore në pagesën e rrogave për edukatoret.
Megjithatë, në vend të përgjegjësisë, BDI Çair pretendon se ajo është avancuar me një pozitë në MEPSO, duke e cilësuar këtë si modelin e qeverisjes së Izet Mexhitit, ku, sipas tyre, shpërblehen drejtorët, ndërsa qindra të rinj mbeten vetëm me premtime për punësim.
Në fund të reagimit, BDI Çair thekson se qytetarët meritojnë institucione ku avancimi bazohet në punë, meritë dhe rezultate, e jo në poste që, sipas tyre, jepen si shpërblim pas mandateve të kontestuara.
